Për arsye teknike dhe jo politike, Hungaria ka anuluar takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Hungarisë dhe Gjermanisë, që ishte caktuar për të hënën në Budapest, njoftoi të shtunën Ministria e Punëve të Jashtme hungareze.
“Për shkak të ndryshimeve të papritura në kalendarin e ministrit hungarez, Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar që vizita të shtyhet për një datë të mëvonshme, shpresojmë në një të ardhme të afërt. Arsyeja e anulimit është thjesht teknike, jo politike në natyrë”, thuhet në deklaratë, sipas Reuters.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka thënë se ishte “e habitur” nga anulimi i takimit dhe se një diskutim “serioz dhe i ndershëm” ishte i nevojshëm pasi kryeministri hungarez Viktor Orban vizitoi Moskën dhe u takua me presidentin rus Vladimir Putin të premten.
Takimi në Moskë ishte takimi i parë i një lideri të një shteti anëtar të BE-së me Putinin që nga prilli i vitit 2022 dhe shkaktoi pakënaqësi te disa liderë të Bashkimit Evropian, të cilët deklaruan se Orbani nuk flet në emër të BE-së.