Ekipi i fushatës së Trumpit ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin - drejtpërdrejt në Gjykatën e Supreme të SHBA-së. Sipas Samuel Issacharoff, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Nju-Jorkut, apeli me shumë gjasë do të pranohet
Vendimi i Gjykatës Supreme të Colorados për ta diskualifikuar ish-presidentin nga zgjedhjet e ardhshme të Partisë Republikane është një tjetër moment i paprecedentë në politikën amerikane.
Është vendim që mjegullon më tej linjat midis sistemeve politike dhe gjyqësore të Amerikës, duke krijuar përplasje të re mes fushatës zgjedhore dhe gjykatave.
Megjithatë, kjo pengesë e fundit ligjore nuk ka gjasa të dëmtojë seriozisht përpjekjet e Trumpit për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë - dhe tashmë po e përdor atë për avantazhin e tij politik.
Aktivistët që ngritën çështjen në Kolorado - grup vëzhgues liberal dhe grumbull i votuesve republikanë dhe të pavarur kundër Trumpit - mund ta festojnë fitoren e tyre.
Por përgjigjja e deritanishme e politikanëve demokratë – ata që do të dalin para votuesve vitin e ardhshëm dhe që po punojnë për të mposhtur Trumpin në kutitë e votimit – tregon një histori tjetër. Kjo nuk është luftë që ata duan.
Sekretarja e Shtetit e Colorados, Jena Griswold - e cila kishte refuzuar të vepronte në mënyrë të njëanshme për ta bllokuar Trumpin nga zgjedhjet për nominimin presidencial të shtetit – ka dhënë përgjigje ndaj vendimit të gjykatës të mërkurën që nuk dukej aq entuziaste.
“Ky vendim mund të apelohet”, ka theksuar ajo. “Do të ndjekë vendimin e gjykatës që është në fuqi në momentin e certifikimit të fletëve të votimit”.
Një pjesë e arsyes për ngurrimin e saj - dhe heshtjen relative të demokratëve të tjerë - është se perspektiva përfundimtare për sfidën e Colorados nuk është e ndritshme.
Ekipi i fushatës së Trumpit ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin - drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Sipas Samuel Issacharoff, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Nju-Jorkut, apeli me shumë gjasë do të pranohet, veçanërisht duke pasur parasysh që gjykatat e tjera shtetërore kanë shqyrtuar dhe refuzuar padi të ngjashme.
“Nuk mund të ndodhë që kandidatura kombëtare për presidencë të përcaktohet shtet pas shteti”, ka thënë ai. “Kjo do të ishte prishje e rendit demokratik”.
Gjykata Supreme aktualisht ka shumicë konservatore gjashtë me tre. Dhe teksa gjyqtarët, madje edhe të tre të emëruar nga Trumpi, kanë treguar gatishmëri për të vendosur kundër ish-presidentit në rastet e mëparshme, Issacharoff besonte se ata do të ishin jashtëzakonisht ngurrues për t’u parë si mundësi kufizuese të votuesve në kutinë e votimit.
Zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, e quajti vendimin e Colorados “plotësisht të gabuar”. Ai ka thënë se ishte shenjë se demokratët kishin humbur besimin te presidenti Joe Biden dhe “tani po bëjnë gjithçka që munden për të ndaluar votuesit amerikanë që t'i hedhin nga detyra nëntorin e ardhshëm”.
Përktheu: Blerta Haxhiu