Autoritetet izraelite kanë shkaktuar një zhvendosje të detyruar të popullit palestinez në Gaza në një masë që përbën krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka thënë “Human Rights Watch” në një raport të enjten.
Raporti është i fundit në një seri nga grupet e ndihmës dhe organet ndërkombëtare që paralajmërojnë për situatën e rëndë humanitare në enklavën e rrethuar, raporton Reuters.
"Human Rights Watch zbuloi se zhvendosja e detyruar ka qenë e përhapur dhe provat tregojnë se ka qenë sistematike dhe pjesë e një politike shtetërore. Akte të tilla përbëjnë gjithashtu krime kundër njerëzimit," thuhet ndër të tjera në raport.
Nuk pati ndonjë koment nga ushtria izraelite apo ministria e Jashtme, por autoritetet izraelite kanë hedhur poshtë më parë akuza të tilla dhe thonë se forcat e tyre veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ligji i konfliktit të armatosur ndalon zhvendosjen me forcë të popullatës civile nga territori i pushtuar, përveç rasteve kur është e nevojshme për sigurinë e civilëve ose për arsye të domosdoshme ushtarake.
Izraeli pushtoi Rripin e Gazës vitin e kaluar pasi persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi sulmuan komunitetet në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 njerëz, sipas autoriteteve izraelite, dhe duke rrëmbyer më shumë se 250 si pengje.
Që atëherë, ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 43,500 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, dhe ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së enklavës, duke detyruar shumicën e 2.3 milionë popullsisë të lëvizë disa herë.