Botë

“Human Rights Watch” akuzon Izraelin për gjenocid duke i privuar palestinezët nga uji

Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Organizata “Human Rights Watch” (HRW) ka akuzuar të enjten Izraelin për "akte gjenocidi" kundër palestinezëve në Gaza duke i privuar ata nga furnizimi i duhur me ujë.

Grupi, në një raport të gjatë, zbulon se midis tetorit 2023 dhe shtatorit 2024, autoritetet izraelite i privuan palestinezët nga ajo që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se është sasia minimale e ujit që kërkohet për mbijetesë në situata të zgjatura emergjente.

Kjo ka kontribuar në mijëra vdekje dhe në përhapjen e sëmundjeve të shumta, thuhet në raport.

Izraeli, i cili ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për gjenocid dhe përdorimin e urisë si armë lufte, ka mohuar akuzat e fundit të HRW-së, raporton CNN.

Sipas OBSH-së, një person ka nevojë për 50 deri në 100 litra ujë në ditë për të siguruar që "nevojat e tij themelore të plotësohen". 

Në situata emergjente të zgjatura, sasia minimale e ujit mund të bjerë në 15 deri në 20 litra në ditë për pije dhe larje.

Sipas HRW-së, shumica ose i gjithë uji në të cilin kanë qasje palestinezët në Gaza nuk është i sigurt për t'u pirë.

HRW-ja vlerëson se veprimet e Izraelit përbëjnë akte gjenocidi sipas Konventës së Gjenocidit dhe Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC). 

Organizata thekson se privimi i ujit po çon në vdekjen e ngadaltë të palestinezëve në Gaza, duke përfshirë foshnjat e porsalindura, nënat e të cilëve nuk mund t'i ushqejnë për shkak të kequshqyerjes dhe dehidrimit, dhe që pinë qumësht formulë të përzier me ujë të ndotur.

HRW-ja thotë se pengimi i ujit në Gaza është një veprim i qëllimshëm nga autoritetet izraelite, duke përmendur pengimin e ndihmave humanitare nga Izraeli, përfshirë furnizimet në lidhje me trajtimin dhe prodhimin e ujit, kufizimet në rrjedhën e ujit të pastër përmes tubacioneve nga Izraeli në Gaza, si dhe dëmet masive në infrastrukturën ujore të Gazës të shkaktuar nga sulmet izraelite.