Botë

Historiani i famshëm gjerman: Rusia është armiku, Gjermania të korrigjojë kursin politik

Karl Schloegel

Rusia po përpiqet të “copëtojë BE-në”, paralajmëron historiani i njohur gjerman Karl Schlögel. Gjermania duhet të jetë e gatshme për mbrojtje. Megjithatë, vetëdija për seriozitetin e situatës nuk ka arritur ende në ndërgjegjen publike, thotë ai për mediat gjermane.

Historiani i Evropës Lindore, Karl Schlögel, kërkon nga Gjermania një korrigjim thelbësor të politikës së saj ndaj Rusisë dhe paralajmëron se nuk duhet qenë naiv ndaj qëllimeve të mëtejshme të presidentit Vlladimir Putin. “Rusia është armiku”, thotë Schlögel, një nga njohësit më të shquar të Rusisë. “Rusia është një shtet që ka nisur një luftë në Evropë dhe gjermanët duhet të përgatiten për këtë. Kjo do të thotë: të jenë të gatshëm për mbrojtje, të gatshëm për të kundërshtuar”, citojnë Schlögelin mediat gjermane.

Historiani 76-vjeçar, i cili ka qenë profesor në Konstancë dhe Frankfurt (Oder), tha: “Rusia po teston se deri ku mund të shkojë.”

“Ne jemi tashmë në një situatë lufte”, thotë Schlögel. “Një luftë nuk fillon nga sot në nesër, por fazë pas faze.” Rusia po përpiqet të “copëtojë BE-në” dhe të shkaktojë lëvizje refugjatësh. Tetë milionë ukrainas janë dëbuar nga agresioni rus. “Ka përpjekje të vazhdueshme për ndërhyrje, akte sabotimi, përpjekje për të instrumentalizuar partitë politike, si (partinë e esktremit të djathtë) AfD-në dhe aleancën (majtiste) të Sahra Wagenknecht”, thotë Schlögel. “Rusia po teston se deri ku mund të shkojë.”

Në Gjermani, çështja “lufta dhe paqja” do të jenë një pikë qendrore në fushatën e zgjedhjeve parlamentare, thotë Schlögel. Por në Gjermani, serioziteti i situatës dhe ndryshimi epokal nuk janë ende të pranishme në ndërgjegjen publike. “Përkundrazi, njerëzit ende besojnë se mund të shmangin këtë përballje. Më së miri duke bërë që Ukraina të heshtë, të na lërë të qetë dhe të arrijë paqen. Kjo do të ishte dorëzimi i Ukrainës, e cila në këtë moment nuk po mbron vetëm veten.”

Schlögel gjithashtu e konsideron një gabim telefonatën e kancelarit Olaf Scholz (SPD) me kreun e Kremlinit, Putin. Scholz e ka bërë këtë “për arsye taktike zgjedhore, për t’u paraqitur si kancelar i paqes”, thotë Schlögel. “Ai i ka dalë në ndihmë Putinit, i cili dy ditë më vonë kreu sulmin më të madh me raketa ndaj qyteteve ukrainase.”

Pavarësisht situatës së vështirë ushtarake të Ukrainës pas më shumë se 1000 ditësh sulme ruse, Schlögel nuk beson se situata për Kievin është e pashpresë. Gjëja më e rëndësishme tani është të mbrohet Ukraina nga shkatërrimi total. “Çdo ditë dhe çdo natë bombat bien mbi qytetet ukrainase, kushtet bazë të jetesës shkatërrohen dhe synohet që qytetet të bombardohen deri në pikën e kapitullimit. Kjo është tronditëse. Prandaj, e konsideroj dërgimin e armëve që synojnë goditjen e pikave prej nga buron agresioni si diçka shumë të vonuar dhe urgjentisht të nevojshme.”

Schlögel i referohet dërgimit të armëve me rreze të gjatë. Scholz deri më tani ka refuzuar dërgimin e raketave gjermane të tipit Taurus, të cilat kanë një rreze të madhe veprimi.

Se një ditë do të ketë negociata, kjo është plotësisht e qartë, thotë Schlögel. Pyetja është nëse ato do të zhvillohen në kushte të një paqeje diktatoriale apo në kushte që garantojnë mbijetesën dhe sigurinë e Ukrainës. Schlögel nuk e përjashton mundësinë e agresioneve të tjera ruse ndaj shteteve të tjera. “Putini është një koreograf dhe analist mjeshtëror i dobësive të palës tjetër. Nuk besoj se ai ka një plan të caktuar, por gjithmonë ka thënë se nuk ka kufij të përcaktuar për botën ruse.”

Schlögel shprehet skeptik nëse Rusia mund të zhvillohet në një vend të lirë ose të orientuar drejt reformave pas epokës së Putinit. Në shekullin e 20-të, forcat dhe elitat civile në Rusi u zvogëluan ndjeshëm për shkak të revolucionit dhe luftës civile, urisë, terrorit stalinist dhe dy luftërave botërore. Ai ka përshtypjen se ky proces fillon gjithmonë nga e para. “Kjo ndjesi, që Rusia sillet në rreth dhe se në të vërtetë nuk ka përparim, është rikthyer përsëri tani.”

Sipas Schlögelit, kultura ruse gjithashtu duhet të shihet në një kontekst të ri. “Nuk mund ta shikosh luftën me indiferencë dhe në të njëjtën kohë të thuash: po, ekziston kjo kultura e madhe ruse.” Edhe personalitetet e kulturës ruse po “përdoren nga agresori”. “Do të duhet një kohë shumë e gjatë që kultura ruse, pas përfundimit të luftës, të shërohet nga kjo ndotje dhe instrumentalizim për luftën - nëse ndonjëherë do të ndodhë kjo.”