Botë

Historia e gjatë e Izraelit në kryerjen e sulmeve komplekse

Sulmi me pejxhera ne Liban, pamje te ambulancave

Foto: Associated Press

Izraeli ka një histori të gjatë të kryerjes së operacioneve të sofistikuara nga distanca, duke filluar nga sulmet e ndërlikuara kibernetike deri te mitralozat e telekomanduar që synojnë liderët, e po ashtu sulme me dronë kamikazë dhe shpërthime në objekte të fshehta nëntokësore bërthamore të Iranit

Hezbollahu dhe Qeveria e Libanit ishin të shpejtë për ta fajësuar Izraelin për shpërthimin e gati të menjëhershëm të qindra pejxherëve të përdorur nga anëtarët e grupit militant në një sulm të martën, që vrau të paktën 12 persona dhe plagosi rreth 3000  të tjerë. 

Shumica e të lënduarve ishin anëtarë të grupit militant Hezbollah, por nuk është e qartë nëse edhe të tjerë kishin mbajtur pejxherë. Në mesin e të vrarëve ishte i biri i një politikani të shquar të Hezbollahut dhe një vajzë tetëvjeçare, siç është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë e Libanit. 

Sulmi erdhi në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani janë në pikë të lartë. Izraeli e Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarre ndërkufitare që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit në territorin izraelit që edhe nisi luftën në Gaza. 

Ambasadori i Iranit në Liban është në mesin e të lënduarve nga shpërthimet e pejxherëve të  martën. 
Izraeli rrallë ka pranuar përgjegjësinë për sulmet e tilla dhe ushtria izraelite nuk ka komentuar të martën. 

Mirëpo Izraeli ka një histori të gjatë për të kryer operacione të tilla të sofistikuara nga distanca, duke filluar nga sulmet e ndërlikuara kibernetike deri te mitralozat e telekomanduar që synojnë liderët, e po ashtu sulme me dronë kamikazë dhe shpërthime në objekte të fshehta nëntokësore bërthamore të Iranit. 

Më poshtë janë disa operacione që i atribuohen Izraelit. 

Korrik 2024

Dy liderë militantë në Bejrut dhe Teheran u vranë në sulme vrasëse brenda disa orëve dallim. Hamasi tha se Izraeli ishte prapa vrasjes së liderit të tij suprem, Ismail Haniyeh, në një sulm të kryer në kryeqendrën e Iranit, Tehran. Ndonëse Izraeli nuk e pranoi se kishte gisht në këtë sulm, pranoi përgjegjësinë për sulmin vrasës të kryer disa orë më herët në Bejrut, gjatë të cilit u vra komandanti i lartë i Hezbollahut, Fouad Shukur. 

Korrik 2024

Izraeli shënjestroi komandantin e krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, në një sulm masiv në jug të Rripit të Gazës të mbipopulluar. Sulmi shkaktoi vdekjen e të paktën 90 personave, përfshirë fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë. Ushtria e Izraelit tha në gusht se Deif u vra në sulmin, ndonëse Hamasi më herët pretendoi se ai i kishte mbijetuar sulmit. 

Prill 2024

Dy gjeneralë iranianë u vranë në atë që Irani tha se ishte sulm izraelit në Konsullatën iraniane në Siri. Vrasja nxiti një sulm të paprecedentë të Iranit në Izrael. Sulmi u krye me rreth 300 raketa e dronë, shumica e të cilëve u neutralizuan. 

Janar 2024

Një sulm izraelit me dronë në Bejrut vrau Saleh Arourin, një zyrtar të lartë të Hamasit, ndërsa trupat izraelite po vazhdojnë luftën me grupin militant në Gaza. 

Dhjetor 2023

Seyed Razi Mousavi, një këshilltar i grupit paramilitar iranian Garda Revolucionare në Siri, u vra në një sulm me dronë në periferi të Damaskut. Irani e fajësoi Izraelin. 

2021

Një kompleks bërthamor nëntokësor në qendër të Iranit u godit nga shpërthimet dhe sulmet shkatërruese kibernetike, të cilat ndërprenë furnizimin me energji elektrike. Irani akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi dhe disa sulmeve të tjera kundër komplekseve bërthamore iraniane duke përdorur dronë shpërthyes. 

2020

Në një nga vrasjet më me bujë që synonin programin bërthamor të Iranit, një shkencëtar i lartë ushtarak iranian i armëve bërthamore, Mohsen Fakhrizadeh, u vra nga një mitraloz me telekomandë ndërsa po udhëtonte me makinë jashtë Teheranit. Irani fajësoi Izraelin. 

2019

Një sulm ajror izraelit goditi shtëpinë e Bahaa Abu el-Attas, një komandant i lartë i Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës, duke e vrarë atë dhe bashkëshorten e tij. 

2012

Ahmad Jabari, kreu i krahut ushtarak të Hamasit, u vra kur një sulm ajror shënjestroi veturën e tij. Vdekja e tij nxiti luftë tetëditore mes Hamasit dhe Izraelit. 

2010

Virusi kompjuterik Stuxnet, i zbuluar në vitin 2010, ndërpreu dhe shkatërroi centrifugat nukleare iraniane. Besohej gjerësisht se ishte një krijim i përbashkët amerikano-izraelit. 

2010

Mahmoud al-Mabhouh, një operativ i lartë i Hamasit, u vra në dhomën e tij të hotelit në Dubai në një operacion që iu atribuua agjencisë inteligjente të Izraelit, Mossad, por që kurrë nuk u pranua nga Izraeli. Shumë nga 26 vrasësit e supozuar u kapën nga kamerat të maskuar si turistë. 

2008

Imad Mughniyeh, shef ushtarak i Hezbollahut, u vra kur një bombë e vendosur në makinën e tij shpërtheu në Damask. Mughinyeh u akuzua se ishte ideator i sulmeve vetëvrasëse me bombë gjatë luftës civile në Liban dhe po ashtu për planifikimin e rrëmbimit të një aeroplani TWA në vitin 1985, gjatë të cilit u vra një zhytës i marinës së SHBA-së. Hezbollahu e fajësoi Izraelin për vrasjen e tij. Djali i tij, Jihad Mughniyeh, u vra në një sulm izraelit në vitin 2015. 

2004

Lideri shpirtëror i Hamasit, Ahmed Yassin, u vra në një sulm izraelit me helikopter, ndërsa ishte në karrocë të invalidëve. Yassin, i paralizuar pas një aksidenti në fëmijëri, ishte ndër themeluesit e Hamasit në vitin 1987. Pasardhësi i tij, Abdel Aziz Rantisi, u vra në një sulm ajror izraelit më pak se një muaj më vonë. 

2002

Lideri i lartë ushtarak i Hamasit, Salah Shehadeh, u vra pasi një bombë njëtonëshe u hodh në një ndërtesë në Gaza City.

1997

Agjentët e Mossadit tentuan ta vrisnin kreun e Hamasit të asaj kohe, Khaled Mashaal, në Aman të Jordanisë. Dy agjentë u futën në Jordani duke përdorur pasaporta false kanadeze dhe e helmuan Mashaalin duke i vendosur një pajisje në afërsi të veshit. Ata u kapën menjëherë pas kësaj dhe mbreti i Jordanisë tha se do ta anulonte marrëveshjen e sapo arritur të paqes nëse Mashaal do të vdiste. Izraeli përfundimisht dha kundërhelmin, ndërsa agjentët izraelitë u kthyen në shtëpi. Mashaal mbetet një prej figurave të larta të Hamasit. 

1996

Yahya Ayyash, i njohur me nofkën “Inxhinieri” për mjeshtërinë e tij në krijimin e bombave për Hamasin, u vra ndërsa po i përgjigjej një telefonate në Gaza. Vrasja e tij nxiti një seri të sulmeve vrasëse me bomba në autobusë në Izrael. 

1995
Themeluesi i Xhihadit Islamik, Fathi Shikaki, u qëllua në kokë në Malta në një vrasje që gjerësisht besohet se është kryer nga Izraeli. 

1988

Shefi ushtarak i Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO), Khalil al-Wazir u vra në Tunizi. I njohur ndryshe si Abu Jihad, ai kishte qenë zëvendës i kreut të PLO-së, Yasser Arafat. Në vitin 2012, një gazetë izraelite zbuloi detaje të bastisjes izraelite për herë të parë. 

1973

Komandosët izraelitë qëlluan një numër të liderëve të PLO-së në apartamentet e tyre në Bejrut, në një bastisje gjatë natës të kryer nga Ehud Barak, që më vonë u bë komandant i lartë i ushtrisë izraelite dhe po ashtu kryeministër. Operacioni ishte pjesë e një serie të vrasjeve të liderëve palestinezë nga Izraeli që u kryen si hakmarrje për vrasjen e 11 trajnerëve dhe sportistëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike të vitit 1972 në Munih.