Sot, mbi 76 vjet pas hedhjes së bombës së parë atomike në botë, Hiroshima është rimëkëmbur, por trashëgimia e sulmit është ende gjallë. Në një fotografi të ekspozuar në Muzeun e Memorialit të Paqes në këtë qytet vërehet një hije e zezë e gdhendur në një palë shkallë. “... Ne i quajmë këto ‘Hijet e Hiroshimës’”, thotë dhjetorin e 2018-s zëvendësdrejtori i muzeut, Shuichi Kato
Për Katsuko Kuwamoton (tani 81-vjeçare) e hëna e 6 gushtit të 1945-s ishte një ditë e rëndomtë shkolle, aq sa mund të ishte në kohë lufte. Atë kohë ajo ishte vetëm gjashtë vjeçe. Teksa nisej për në shkollë atë mëngjes të kthjellët vere, gjithçka në periferinë e qytetit të saj të lindjes dukej plotësisht e qetë.
Kështu ishte deri një çerek pas orës tetë, kur aeroplani bombardues amerikan “Enola Gay”, gjatë fazës përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore, hodhi mbi qytetin japonez Hiroshimë bombën e parë atomike, për ta ndryshuar në çast jetën e saj, por dhe rrjedhën e historisë së botës.
E strehuar, me urdhër të autoriteteve, tek të afërmit në periferi të prefekturës së Hiroshimës, Gion-cho, vetëm pak kilometra larg epiqendrës së bombës, Kuwamoto nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte përreth. S’e kuptonte as pse gjakoste shoqja e saj e klasës, që atë ditë qe ulur pranë dritareve të klasës që u bënë copë e grimë nga fuqia e “zhurmës”. Dhe as mësuesen që vraponte e shfrenuar në mënyrë rrethore anekënd oborrit të shkollës teksa e mbante shoqen e saj të lënduar në krah.
Krejt çka dinte të bënte ishte që ta tërhiqte për fustani dhe ta ndiqte mësuesen e panikuar, në kërkim të pashpresë të ndihmës.
Lufta e vazhdueshme e të mbijetuarve
Teksa e kujtoi dhjetorin e 2018-s, mbi 73 vjet më vonë, ditën kur qyteti i saj u rrafshua përtokë nga fuqia e bombës së parë atomike të përdorur në histori të njerëzimit, Kuwamoto lë të kuptohet se ajo qe një prej personave më me fat. Ngase aty ku bomba, e njohur me nofkën “Djaloshi i vogël”, pati ndikim të drejtpërdrejtë, njerëzit nuk e kishin luksin e saj. Shpërthimi ekuivalent me forcën e së paku 16 mijë tonë dinamit shkatërroi dy të tretat e strukturave të Hiroshimës brenda vetëm dhjetë sekondash, për të lënë të vdekur në vend mbi 80 mijë, prej 300 mijë banorëve të atëhershëm të qytetit, ndërsa të lënduar më se 35 mijë.
Deri në fund të atij viti edhe 60 mijë hiroshimas vdiqën si pasojë e bombës dhe ekspozimit ndaj helmit radioaktiv. Ndërsa sot shifra e të vdekurve besohet se ka tejkaluar 130-mijëshin. Për shumë kë këta ishin më fatzinjtë. Ngase përjetuan dhembje prej më të padurueshmeve. Djegie të pariparueshme, shkëputje të copave të mishit nga trupi, dhe në fund prekjen prej kancerëve të shumëfishtë.
Mes tyre ishte nëna e Kuwamotos, për të cilën ajo për katër ditë rresht nuk pati asokohe asnjë lajm. Ani pse nisej me të afërmit për ta kërkuar, çdo përpjekje i shkonte huq. Zjarre kishte gjithandej, rrugët qenë të pakapërcyeshme shkaku i nxehtësisë së papërballueshme.
“Por prapë nisemi për ta kërkuar. Përgjatë rrugës, pranë shtretërve të lumenjve kishte kufoma të panumërta. Njerëzit po iknin nga qyteti për ta shpëtuar jetën dhe vdiqën aty, që në kontaktin e parë me ujin. Ngase ishin të djegur përbrenda”, tregon ajo fillimdhjetorin e 2018-s. Por dëshira për ta gjetur të ëmën e bënte disi shpërfillëse ndaj skenave.
I kontrollonte një nga një kufomat e mbuluara me copëza materiali që banorët përreth i siguronin.
“Kufomat ishin aq të ënjtura dhe të shpërfytyruara, saqë nuk mund të njiheshin... Kundërmimi ishte i padurueshëm”, rrëfen Kuwamoto, tani në të 80-tat.
Edhe kur bashkohet me të ëmën ditë më vonë në të 1945-n, telashet për të nuk marrin fund. Fillimisht përjeton urinë e përhershme.
“Krejt çka mbaj mend është se isha gjithnjë e uritur. Mbizotëronte varfëri e madhe”, thotë ajo, duke folur për një grup gazetarësh nga Ballkani Perëndimor që vizituan rreth tre vjet më parë qendrën për viktimat dhe të mbijetuarit e sulmit atomik në Hiroshimë.
Kësisoj, ani pse jo mirë me shëndet, nëna e saj detyrohet që të dalë në kërkim të përditshëm të ushqimit për dy vajzat. Krejt derisa një ditë alivanoset pranë shtëpisë së disa të afërmve të tjerë. Të ndara prapë prej njëra-tjetrës, Kuwamoto merr lajmin se nënën e ka buzë vdekjes dhe se duhet të shkojë për ta takuar për herë të fundit.
“Gjendjen e kishte shumë të rëndë. Sa herë që mundohej të na thoshte diçka mua dhe motrës, goja i mbushej gjak. Villte sasi të mëdha gjaku.... mendova se ky ishte takimi im i fundit me të”, rrëfen ajo. Por teksa ishte e shtrirë në shtratin e vdekjes, babai i Kuwamotos rikthehet nga shërbimi ushtarak. Dhe falë gjakut që ia dhuron, e shpëton bashkëshorten nga vdekja.
Ama halleve të saja as këtu nuk u vjen fundi. Si pasojë e ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj radioaktivitetit, ajo preket nga kanceret e njëpasnjëshme. Dhe pas 15 vjetësh betejë me sëmundjet dorëzohet.
“Shumica e atyre që mbetën gjallë, me kalimin e viteve u prekën nga kanceret. Menjëherë pas sulmit, njerëzve filluan t’u binin flokët nga rrezatimi. Përjetuan rënien e shtresave të lëkurës, dhembje kjo që ekspertët e cilësojnë si më të rëndën që mund ta përballojë njeriu”, rrëfen për KOHËN zëvendësdrejtori i muzeut të “Memorialit të Paqes” në Hiroshimë, Shuichi Kato. “E nëse duhet vdekur nga bomba atomike, atëherë ata që vdesin në vend janë më me fat”, citon ai asokohe njërin prej të mbijetuarve të sulmit.

Shiu i zi
Mbi shtatë dekada pas, Hiroshima është rimëkëmbur, por trashëgimia e sulmit është ende gjallë.
“Kupa Genbaku”, që tani njihet ndryshe si “Kupa e bombës atomike” dhe që më 1996 u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është një strukturë skelet në mes të “Memorialit të Paqes”, që rikujton ditën kur qyteti u kthye në prush.
Në brendi të Memorialit shpërfaqet me anë të fotografive, projektimeve, maketave të bombës, ditarëve e gjësendeve personale të viktimave, përmasa e shkatërrimit dhe e vuajtjes njerëzore. Fotografia e një gruaje të re me trupin e damkosur nga gjurmët e kimonos së saj tradicionale japoneze të gdhendur thellë në lëkurë; një triçiklet i ndryshkur i një vogëlushi të vdekur trevjeçar; një orë dore me akrepat e ndalur fiks në orën 8:15 kur ra bomba; ditari i një filloristeje që përshkruan ditën e saj të fundit të jetës... janë vetëm disa prej artefakteve të ekspozuara aty. Mes tyre është edhe një pllakë e bardhë mermeri me disa vija të zeza.
Vija këto të shiut të zi radioaktiv që filloi të binte në Hiroshimë menjëherë pas bombës, për të lënë gjurmë të pashlyeshme mbi çdo vend që preku dhe për t’u bërë shkas i sëmundjes së shumëkujt me kancer.
Në një fotografi që shpërfaq pamjen e disa shkallëve të një banke të dikurshme vërehet një hije e zezë.
“Aty besohet se në momentin e sulmit dikush ka qenë ulur, mbase në pritje të hapjes së bankës. E kur sulmi ndodhi dhe vala e të nxehtit prej më se 4 mijë gradësh celsius mbërtheu vendin, trupi i djegur i atij qytetari la si gjurmë në shkallë këtë hije të zezë. Ne i quajmë këto ‘Hijet e Hiroshimës’”, tregoi Kato.
Duke e përshkruar secilën fotografi të ekspozuar të Hiroshimës së para dhe pas bombës, ai rrëfen se si u bë që qyteti të përzgjidhet si cak sulmi. Thotë se gjatë luftës qyteti nuk prekej fort nga bombat e forcave aleate, të prira atëbotë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Hiroshima qe zgjedhur qysh moti si cak i sulmit atomik, prandaj nuk bombardohej. Synimi ishte që të kuptohej përmasa e saktë e sulmit atomik”, thotë ai.
Për dallim prej Hiroshimës, qyteti i Nagasakit, i cili përjetoi të njëjtin fat vetëm tri ditë më vonë, u bë cak në momentin e fundit. Në vend të tij në listë ishte Kyotoja, kryeqyteti i vjetër i Japonisë dhe tani epiqendër e tempujve dhe monumenteve të shumtë historikë dhe kulturorë. Megjithëkëtë, Kyoto nuk u sulmua kryesisht falë një njeriu. Ishte ky sekretari i luftës i SHBA-së, Henry Stimson. Sipas historianëve, të cilët folën kohë më parë për BBC-në, ai urdhëroi që qyteti të hiqej nga lista e sulmeve shkaku i rëndësisë kulturore që kishte dhe faktit se nuk ishte objektiv ushtarak.
Stimsoni, i cili e admironte kulturën japoneze, për këtë shkas bisedoi drejtpërsëdrejti me presidentin e atëhershëm amerikan, Henry Truman. Dhe ngadhënjeu.
Zemërimi me Qeverinë perandorake e jo me Amerikën
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Japonia e drejtuar prej perandorit Hirohito sulmon pothuajse të gjithë fqinjët aziatikë, duke u rreshtuar përskaj Gjermanisë naziste dhe duke e ndërmarrë një sulm të befasishëm mbi bazën detare amerikane Pearl Harbor, në territorin e Hawaiit.
I përballur me forcën e pafrenueshme të Japonisë, sidomos pas Pearl Harborit që edhe u bë sebepi i përfshirjes së SHBA-së në luftë përkrah aleatëve, Trumani jep urdhrin për sulm me bombë shkatërrimtare në Hiroshimë. Por, pos kësaj dhe asaj në Nagasaki, edhe një tjetër bombë ishte përgatitur për t’u hedhur më 19 gusht, po qe se Japonia nuk do të dorëzohej katër ditë më herët.
Sipas historianëve, cak i këtij sulmi do të ishte mbase pallati perandorak në kryeqytetin Tokio. Por pavarësisht të gjitha përjetimeve dhe shkatërrimeve nga bombat, jo të rrallë janë ata japonezë që disi sikur e arsyetojnë përdorimin e bombave atomike.
“Populli japonez është i zemëruar me Qeverinë. Armë të tilla të tmerrshme nuk duhet të përdoren më kurrë. Dhe as vetë populli amerikan që e hodhi këtë bombë nuk duhet të vdesë shkaku i bombës atomike. Ajo që shpresojmë është që këto armë të zhduken sa më parë që është e mundur... Sepse në luftën bërthamore fitues nuk ka”, thotë Kato i “Memorialit të Paqes”. “Nëse një vend përdor këso bombash, atëherë të njëjtën do ta bëjnë edhe të tjerat. E kjo është çmenduri”.

Të njëjtin mendim e ndan edhe “hibakusha”, apo siç në Japoni njihen gratë e mbijetuara të sulmit atomik, Kuwamoto. Teksa flet e ulur pranë një banke të bardhë, të ngjashme me atë të shkollës së saj të para shtatëdhjetë e kusur vjetëve, në qytetin që sot numëron mbi 1.2 milionë banorë, ajo thotë se tani mundohet që të mos u flasë shpesh për kujtimin e atyre ditëve nipërve të saj.
Si një mësuese e muzikës që u bë më pas, ajo më me qejf luan në piano veprat e Chopenit që i adhuron. Ama për ato që i hoqi, thotë se nuk ushqen zemërim ndaj Amerikës.
“Natyrisht, Amerika nuk e bëri gjënë e duhur. Cilido qoftë shkaku nuk mendoj se është mirë të përdoren bombat atomike. Ama ishte ushtria perandorake e Japonisë ajo që e nisi luftën fillimisht. Ne kurrë nuk mendojmë keq, nuk i mallkojmë apo jemi të zemëruar me vendet e tjera”, përfundon Kuwamoto.