Një nxënëse myslimane e një shkolle në Londër ka humbur rastin gjyqësor në Gjykatën e Lartë lidhur me ndalimin e praktikimit të ritualeve fetare, raporton BBC.
Shkolla Michaela në Brent u padit në gjykatë nga nxënësja lidhur me një politikë që thuhet se ndalonte ritualet fetare.
Nxënësja ka thënë se rregulla ishte diskriminuese.
Përfaqësues ligjorë nga shkolla e mesme deklaruan në Gjykatën e Lartë se lejimi i ritualeve fetare rrezikonte “minimin e përfshirjes” midis nxënësve.
Rreth gjysma e rreth 700 nxënësve të shkollës janë myslimanë.
Gjykata hodhi poshtë padinë e nxënëses në një vendim të dhënë të martën në mëngjes.
Ky rast po cilësohet si përkrahje e të drejtës së shkollave jofetare për të marrë vendimin e tyre nëse duan të ndajnë kohë dhe hapësirë për nxënësit për t’u lutur.
Themeluesja e shkollës, Katharine Birbalsingh, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social “X”, se vendimi ishte një “fitore për të gjitha shkollat”.
“Shkollat nuk duhet të detyrohen nga një fëmijë dhe nëna e saj që të ndryshojnë qasjen thjesht sepse kanë vendosur se nuk u pëlqen diçka në shkollë”, ka shkruar Birbalsingh.
Në padinë e dorëzuar kundër drejtuesve të shkollës “Michaela Community Schools Trust” në Londër, nxënësja ka pretenduar se ndalimi i ritualeve fetare shkelte të drejtën e saj për lirinë e fesë.
“Nxënësja e dinte që shkolla është laike dhe se ajo do t’u nënshtrohej kufizimeve për të praktikuar fenë e saj”, thuhet në vendimin prej 83 faqesh të Gjykatës së Lartë, që hedh poshtë padinë e nxënëses.
Në anën tjetër gjykatësi e ka pranuar kundërshtimin e nxënëses ndaj një vendimi për ta përjashtuar atë përkohësisht nga shkolla.