Grupi militant Hezbollah ka caktuar Naim Qassemin si lider të ri, pasi Izraeli vrau Hassan Nasrallahun muajin e shkuar.
Siç ka njoftuar zyra për media e këtij grupi në Liban, Qassemi është sekretari i ri i përgjithshëm.
Këshilli i Lartë i Hezbollahut ka thënë se vendimi u mor në përputhje me procedurat për zgjedhjen e liderit.
Qassemi është zotuar të jetë i përkushtuar ndaj “islamit autentik të Muhamedit” dhe parimeve thelbësore të Hezbollahut, sipas deklaratës.
Ai ishte i dyti në komandën e Hezbollahut. Më herët gjatë muajit, u bëri thirrje izraelitëve të pranojnë thirrjen për armëpushim në Liban ose do të përballen me “dhimbje”, duke shtuar se grupi ka ndryshuar strategjinë dhe do të sulmojë më thellë në Izrael.