Grupi militant Hezbollah në Liban, ka lëshuar një deklaratë ku thotë se është i sigurt se mund t’i rezistojë Izraelit.
Në deklaratën për të shënuar njëvjetorin e sulmeve të Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor, Hezbollahu është zotuar po ashtu të vazhdojë të luftojë, raporton BBC.
Grupi i armatosur me bazë në Liban është aleat me Hamasin dhe të dy mbështeten dhe financohen nga Irani.
Hezbollahu i përshkruan ngjarjet e 7 tetorit si "heroike", duke thënë se ato do të kenë efekte "historike" në rajon.
Sipas grupit, nuk ka vend për Izraelin atje dhe se ai duhet të ndiqet, pa marrë parasysh sa kohë duhet.
Hezbollahu fajëson gjithashtu "SHBA-në dhe aleatët e saj" për dhunën në Gaza dhe Liban që pasoi sulmin e Hamasit më 7 tetor, duke thënë se ata "mbartin përgjegjësinë e plotë".