Zëvendësshefi i Hezbollahut dhe ushtruesi i detyrës së udhëheqësit, Sheikh Naim Kassem, ka thënë në një fjalim televiziv të martën se grupi tani është i përqendruar në "lëndimin e armikut", duke synuar qytetin izraelit të Haifës dhe zonat përtej tij, përfshirë Tel Avivin.
Fjalimi i regjistruar paraprakisht shënoi paraqitjen e tij të tretë që kur Nasrallah u vra nga një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit, më 27 shtator, raporton AP.
Ai u ka bërë thirrje mbështetësve të Hezbollahut që të qëndrojnë të palëkundur mes sulmeve izraelite.
Duke iu drejtuar izraelitëve, Kassem ka thënë se një armëpushim është zgjidhja e vetme për të kthyer banorët e Izraelit verior në shtëpitë e tyre.
"Ne nuk po kërkojmë një armëpushim sepse jemi të dobët”, ka deklaruar ai.
Nëse Izraeli vazhdon bombardimet dhe pushtimin tokësor në Liban, për të cilin zyrtarët izraelitë kanë thënë se synojnë të largojnë Hezbollahun dhe të kthejnë izraelitët e zhvendosur në shtëpitë e tyre – ai kërcënoi se sulmet e Hezbollahut do të zgjerohen në një zonë gjeografikisht më të gjerë.
Kassem e lidhi konfliktin e vazhdueshëm në Liban me luftën më të gjerë të palestinezëve dhe me luftën e vazhdueshme në Gaza.
"Ne nuk mund ta ndajmë Libanin nga Palestina, apo Palestinën nga bota”, ka shtuar ai.