Hezbollahu i mbështetur nga Irani, i cili ka pësuar goditje të mëdha nga Izraeli në Liban, të martën e la të hapur derën për një armëpushim të negociuar, pasi armiku i tij kryesor nisi sulme të reja në jug të vendit.
Në një fjalim televiziv, nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qassem, ka thënë se ai mbështet përpjekjet për të siguruar një armëpushim, teksa për herë të parë nuk përmendi fundin e luftës në Gaza si një parakusht për ndalimin e luftimeve në kufirin Liban-Izrael, raporton Reuters.
Qassem ka thënë se Hezbollahu mbështet përpjekjet e kryetarit të parlamentit Nabih Berri, një aleat i Hezbollahut, për të siguruar ndalimin e luftimeve, të cilat janë përshkallëzuar javët e fundit me inkursionet tokësore izraelite dhe vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut.
“Ne mbështesim aktivitetin politik që drejtohet nga Berri nën titullin e armëpushimit”, ka deklaruar Qassem në fjalimin e tij 30-minutësh televiziv.
Nuk ishte e qartë nëse kjo sinjalizonte ndonjë ndryshim në qëndrim, pas një viti gjatë të cilit grupi ka thënë se po lufton në mbështetje të palestinezëve gjatë luftës Izrael-Hamas në Gaza dhe nuk do të ndalet pa një armëpushim atje.
Duke folur para perdeve nga një vend i panjohur, Qassem ka thënë se konflikti midis Hezbollahut dhe Izraelit ishte një luftë se kush qan i pari, dhe sipas tij, Hezbollahu nuk do të qante i pari.
"Ne po i godasim. Ne po i lëndojmë dhe ju sigurojmë se aftësitë tona janë të mira", ka thënë Qassem.
Fjalimi i tij televiziv vjen 11 ditë pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, goditja më shkatërruese që Izraeli i ka dhënë armikut të tij në dekada. Një tjetër figurë e lartë e Hezbollahut, Hashem Safieddine, i parë si një pasardhës i mundshëm i Nasrallahut, nuk është dëgjuar publikisht që nga një sulm ajror izraelit në fund të javës së kaluar.
Izraeli vazhdoi presionin ndaj Hezbollahut të martën duke vrarë një tjetër prej figurave të tij të larta dhe duke nisur operacione të reja në Libanin jugor.
Qassem ka deklaruar se Izraeli nuk ka përparuar ende pas përleshjeve tokësore që shpërthyen në Libanin jugor një javë më parë.
"Në çdo rast, pasi çështja e një armëpushimi të marrë formë dhe pasi diplomacia ta arrijë atë, të gjitha detajet e tjera mund të diskutohen dhe mund të merren vendimet”, është shprehur Qassem.