Zyrtarë të Izraelit kanë thënë të hënën se grupi militant i Hezbollahut të Libanit kishte gjuajtur "mbi 5,000 raketa" drejt Izraelit verior që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, më 7 tetor.
Hezbollahu filloi të lëshonte raketa në drejtim të Izraelit një ditë pasi shpërtheu lufta në Gaza, pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, më 7 tetor, raporton AP.
Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr, duke rrezikuar që rajoni të shtyhet drejt një lufte më të gjerë.
"Ne do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të rivendosur sigurinë në kufirin tonë verior”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, gjatë një konference të hënën, duke shtuar se Hezbollahu "mbart përgjegjësinë e plotë" për përkeqësimin e situatës së sigurisë.
Hezbollahu gjuajti qindra raketa drejt Izraelit verior të mërkurën, disa orë pasi një sulm ajror izraelit vrau një komandant të lartë, anëtari më i lartë i grupit që vdiq në tetë muaj luftime.
Hezbollahu, një aleat i mbështetur nga Irani i grupit palestinez Hamas, kohët e fundit ka sulmuar më tej brenda Izraelit dhe ka prezantuar armë të reja dhe më të avancuara.
Zyrtarë të tij thonë se do të ndalojnë sulmet vetëm nëse ka një armëpushim në Gaza.
Mencer foli gjithashtu për vendimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të shpërndarë kabinetin që kishte për detyrë të drejtonte luftën në Gaza.
Kabineti i Luftës u shpërbë pas largimit nga qeveria të Benny Gantz, një ligjvënës i opozitës që i ishte bashkuar koalicionit në ditët e para të luftës.