Botë

Hezbollahu i gatshëm për bisedime me qeverinë libaneze rreth strategjisë së mbrojtjes

Hezbollah

Foto: Associated Press

Deputeti i Hezbollahut në parlamentin libanez, Hassan Fadlallah, ka thënë të enjten se grupi militant, pjesë e boshtit të rezistencës bashkë me Iranin dhe grupe të tjera, është i gatshëm të hyjë në bisedime me qeverinë libaneze rreth një strategjie kombëtare të mbrojtjes, që ka për qëllim largimin e trupave izraelite nga territori. 

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i cili ishte zotuar se do të krijonte një monopol shtetëror mbi kontrollin e armëve kur nisi detyrën në muajin janar, planifikon t'i nisë bisedimet me Hezbollahun për arsenalin e armëve në zotërim të grupit, kanë konfirmuar tri burime të afërta për agjencinë e lajmeve Reuters.

Hezbollahu është njëri prej grupeve më të armatosura në botë, mirëpo si pasojë e luftës kundër Izraelit në vitin 2024, që u shkaktua nga lufta në Gaza, ka pësuar humbje të rënda në zinxhirin komandues. Ka humbur mijëra luftëtarë. 

Pasojat e luftës kundër Izraelit, u përkeqësuan mëtutje kur regjimi i Bashar al-Assadit ra në Siri, duke ndërprerë linjat e furnizimit nga Irani.

Në një fjalim të transmetuar në televizion, Fadlallah ka thënë se grupi ka shprehur gatishmëri "për dialog, në mënyrë që të krijojmë një strategji të mbrojtjes për Libanin”. 

Ai ka thënë se çdo diskutim domethënës duhet të përqendrohet në përballjen me “agresionet” izraelite dhe largimin e forcave izraelite nga jugu i Libanit.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Aoun. Kur ai bën thirrje për dialog dhe vendos baza kombëtare për të, ne jemi gati,” ka shtuar ai.

Izraeli, i cili dërgoi trupa tokësore në jug të Libanit gjatë luftës, është tërhequr kryesisht nga pozicionet, megjithëse në muajin shkurt vendosi të mos largohet nga pesë pozicione kodrinore.