Qyteti port në veri të Izraelit është goditur nga rreth pesë raketa të lëshuara nga grupi i armatosur libanez Hezbollah vonë të dielën, duke shkaktuar dëme dhe duke plagosur tetë persona, kanë bërë të ditur autoritetet izraelite.
Ushtria izraelite ka thënë se po hetonte se si mbrojtja e saj ajrore nuk arriti të kapte raketat. Ndërkaq Hezbollahu ka thënë se kishte në shënjestër një bazë ushtarake në jug të Haifës, raporton BBC.
Një person tjetër u plagos kur një breshëri raketash goditi qytetin e Tiberias, i cili ndodhet në lindje në bregun e detit të Galilesë.
Avionët luftarakë izraelitë ndërkohë kryen një rund të ri sulmesh ajrore në kryeqytetin libanez Bejrut, duke goditur ato që ushtria tha se ishin objektiva të Hezbollahut.
Ushtria ka bërë të ditur gjithashtu se një divizion i tretë i është bashkuar pushtimit të tij në Libanin jugor.
Qeveria e Izraelit është zotuar të bëjë të sigurt për dhjetëra mijëra banorë të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre pranë kufirit libanez, pas një viti luftimesh ndërkufitare të shkaktuara nga lufta e Gazës.
Armiqësitë janë përshkallëzuar në mënyrë të qëndrueshme që kur Hezbollahu filloi të gjuante raketa në veri të Izraelit në mbështetje të palestinezëve më 8 tetor 2023, një ditë pas sulmit vdekjeprurës të aleatit të tij Hamas në Izraelin jugor.
Hezbollahu ka mbetur sfidues pavarësisht se ka pësuar një sërë goditjesh shkatërruese në javët e fundit, duke këmbëngulur të hënën se ishte i sigurt në aftësinë e tij për të "zmbrapsur agresionin izraelit”.