Kreu i Hezbollahut, Naim Qassem ka deklaruar të shtunën se grupi e ka humbur rrugën e tij të furnizimit me armë përmes Sirisë, pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assadit gati një javë më parë nga një ofensivë gjithpërfshirëse.
Qassem nuk e ka përmendur Asadin me emër në fjalimin e tij televiziv teksa ka thënë se grupi "nuk mund t'i gjykojë këto forca të reja derisa të stabilizohen" dhe "të marrin pozicione të qarta".
Ai ka shtuar se shpresonte që populli dhe qeveritë libaneze dhe siriane të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë.
“Po, Hezbollahu ka humbur rrugën e furnizimit ushtarak përmes Sirisë në këtë fazë, por kjo humbje është një detaj në punën e rezistencës”, ka thënë Qassem.
"Një regjim i ri mund të vijë dhe kjo rrugë mund të kthehet në normalitet, dhe ne mund të kërkojmë mënyra të tjera”, ka shtuar ai.
Siria siguronte një rrugë tokësore për mbrojtësin e Hezbollahut, Iranin, për të dërguar autokolona armësh në Liban. Konvoje të tilla shpesh ishin në shënjestër nga sulmet ajrore izraelite.
Hezbollahu në Liban filloi të ndërhynte në Siri në vitin 2013 për të ndihmuar Assadin të shtypte rebelët që kërkonin ta rrëzonin atë në atë kohë. Javën e kaluar, ndërsa rebelët iu afruan Damaskut, grupi dërgoi oficerë mbikëqyrës për të mbikëqyrur tërheqjen e luftëtarëve të tij atje.
Më shumë se 50 vjet të sundimit të familjes Assad tani janë zëvendësuar me një qeveri të përkohshme kalimtare të vendosur nga Hayat Tahrir al-Sham, një ish degë e Al-Kaedës që udhëhoqi ofensivën rebele.
Shefi i Hezbollahut ka thënë gjithashtu se sundimtarët e rinj të Sirisë nuk duhet të njohin Izraelin fqinj ose të krijojnë lidhje me të.