Botë

Hegseth thotë se është e mundur që Ukraina t’i kthejë territoret e para 2022-tës

Pete Hegseth

Pete Hegseth

Foto: Associated Press

Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Hegseth, ka deklaruar se gjithçka është e mundur dhe se Ukraina mund t’i kthejë territoret e saj të pushtuara nga Rusia që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022, raporton “CNN”.

Më herët gjatë javës, Hegseth kishte deklaruar në Bruksel se kthimi në kufijtë e Ukrainës të para 2014-tës, para se Rusia të pushtonte Krimenë dhe Ukrainën lindore, është “objektivë joreale”. 

Të premten gjatë konferencës për media në Varshavë, është pyetur nëse Ukraina mund të kthehet në kufijtë e saj të para 2022-tës, ai është përgjigjur se çdo gjë është e mundur.


Hegseth: Ukraina dhe aleatët e ndaluan Putinin të përmbushte qëllimin kryesor

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë të premten se Ukraina dhe aleatët e saj kanë qenë të suksesshëm në parandalimin e qëllimit kryesor të presidentit rus Vladimir Putin, që ishte pushtimi i tërësishëm i Ukrainës, raporton CNN.

I pyetur nëse Putini do të “trimërohej” nga një zgjidhje e negociuar që i jep atij pjesë të mëdha të territorit ukrainas, Hegseth ka thënë se lideri rus “do të shpallë fitoren pa marrë parasysh rrethanat”, por shtoj se Putini kishte mbetur shumë larg objektivave të tij fillestare ushtarake.

“Për fat të mirë, trimëria e ukrainasve dhe aleatëve që erdhën pas tyre, veçanërisht në fillimet e luftës, parandaloi dhe mposhti Vladimir Putinin për të mos arritur atë që kërkonte, e cila ishte e gjithë Ukraina”, ka deklaruar Hegseth të premten në Varshavë.

“Nëse Putini do të ‘trimërohet’ ose jo nga negociatat varet prej përgjigjes së NATO-s”, ka shtuar ai. 

Hegseth: Evropa s’mund të presë se prania ushtarake e SHBA-së do të zgjasë përgjithmonë

2 muaj më parë / 14 shk 2025 13:07
Hegseth

Photo: CNN

Evropa nuk mund të presë që prania ushtarake e SHBA-së në kontinent “do të zgjasë përgjithmonë”, ka thënë sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth, në një konferencë shtypi në Varshavë.

I pyetur nëse, si pjesë e negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, SHBA-ja do ta konsiderojë zvogëlimin e prezencës ushtarake në lindje të Evropës apo t’i japë fund pranisë së përhershme ushtarake në Poloni, Hegseth theksoi se SHBA-ja është “e përkushtuar ndaj aleancës së NATO-s”. Por, ai shtoi se e ardhmja e saj ushtarake në Evropë duhet të vihet në diskutim, raportoi CNN. 

“Niveli i trupave amerikane në kontinent është i rëndësishëm. Çfarë ndodh në 5 apo 10 apo 15 vjet nga tani është pjesë e një diskutimi më të gjerë që reflekton nivelin e kërcënimit, qëndrimin e Amerikës dhe nevojat tona rreth globit”, ka theksuar ai.

“Kjo është arsyeja pse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë: Tani është koha për të investuar. Sepse nuk mund të supozosh se prezenca e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”.

Hegseth u shpreh se SHBA-ja duhet t’u kundërvihet kërcënimeve të tjera, si Kina.