Botë

Harrisi e Trumpi thyejnë “traditën e zezë” të kandidatëve për president

Donald Trump - Kamala Harris

Kur zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, dhe ish-presidenti Donald Trump, dolën në skenë në mbrëmjen e së martës për debatin e parë presidencial, ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit. Është hera e parë që dy kandidatë shtrëngojnë duart që nga viti 2016.

Debati ishte hera e parë që dy kandidatët u takuan. Harrisi, kandidate e Partisë Demokratike, ishte iniciuese e shtrëngimit të duarve. Pasi emrat e tyre u prezantuan nga “ABC News”, Trumpi u pa tek afrohej direkt te foltorja e tij. Harrisi menjëherë hyri në mes të skenës dhe iu drejtua foltores së Trumpit për shtrëngim duarsh. 

“Kamala Harris. Si jeni?” ishte prezantimi i zëvendëspresidentes. 

“Më vjen mirë që u takuam. Jam mirë”, u përgjigj Trumpi.

“Le të kemi një debat të mirë”, iu kundërpërgjigj Harrisi. 

Shtrëngimi i duarve nga dy kandidatët thyen “traditën e zezë” të refuzimit të shtrëngimit të duarve në debatet presidenciale të tetë vjetëve të fundit.

Nuk ka rregulla që specifikojnë nëse një shtrëngim duarsh duhet të ndodhë para apo pas debatit.