Botë

Harris mban epërsi të qëndrueshme ndaj Trumpit, zbulon sondazhi i Reuters/Ipsos

Donald Trump, Kamala Harris

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidentja demokrate, Kamala Harris po vazhdon të mbajë një epërsi prej 3 pikësh ndaj republikanit Donald Trump.

Sipas një sondazhi të ri të kryer nga Reuters/Ipsos, Harris ka fituar 45% të mbështetjes në mesin e votuesve, ndërkaq Trumpi 42%.

Pavarësisht këtij dallimi, sondazhi thotë se ata vazhdojnë të jenë në një garë të ngushtë.

Sondazhi i ri, i cili u mbyll të dielën, ka dhënë shenja se votuesit, veçanërisht demokratët, mund të jenë më të entuziazmuar për zgjedhjet e këtij viti sesa ishin përpara zgjedhjevw presidenciale të vitit 2020, kur demokrati Joe Biden mundi Trumpin.

Rreth 78% e votuesve të regjistruar në sondazhin treditor kanë thënë  se ishin "plotësisht të sigurt" se do të votonin në zgjedhjet presidenciale. Përqindja e të anketuarve me votim të sigurt u rrit nga 74% në një sondazh të Reuters/Ipsos të kryer nga 23-27 tetor 2020.

Harris hyri në garë në korrik pasi Bideni i dha fund përpjekjes së tij për rizgjedhje pas një debati të dobët kundër Trumpit në qershor. 

Kohët e fundit, Harris duket se po merr forcë nga votuesit që e zgjedhin atë si kandidaten më të mirë për politikën e kujdesit shëndetësor dhe për trajtimin e ekstremizmit politik, megjithëse votuesit gjithashtu e vlerësojnë ekonominë e SHBA-së si çështjen kryesore në zgjedhje dhe thonë se Trumpi do të ishte kujdestari më i mirë ekonomik, sipas sondazhit të ri.

Harrisi udhëhoqi ndaj Trumpit me 5 pikë, 43% me 38% , kur votuesve iu kërkua të zgjidhnin se kush ishte më i mirë për trajtimin e ekstremizmit politik dhe kërcënimeve ndaj demokracisë. Ajo e priu atë me 14 pikë në politikën e kujdesit shëndetësor. 

Ndërkaq Trumpi udhëhoqi ndaj Harrisit 45% me 40% kur votuesit u pyetën se kush ishte kandidati më i mirë për "ekonominë, papunësinë dhe vendet e punës”.

Për sondazhin e fundit, Reuters/Ipsos anketuan 938 të rritur amerikanë në internet, në mbarë vendin, duke përfshirë 807 votues të regjistruar.