Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, të shtunën planifikon të publikojnë një raport mbi shëndetin dhe historinë e saj mjekësore, i cili zbulon se "ajo zotëron aftësitë fizike dhe mendore të nevojshme për të ekzekutuar me sukses detyrat e presidencës" nëse votuesit e zgjedhin atë në nëntor, sipas një ndihmësi të lartë të fushatës, raporton The Guardian.
Ndihmësi ka thënë se këshilltarët e zëvendëspresidentes 59-vjeçare e panë publikimin e raportit shëndetësor dhe historisë mjekësore të saj si një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj pyetjeve në lidhje me aftësinë fizike të kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, si dhe mprehtësinë e tij mendore.
78-vjeçari Trump nuk ka dhënë asnjë informacion për shëndetin e tij, megjithëse ai do të ishte presidenti më i vjetër i zgjedhur nëse amerikanët do t'i jepnin një mandat të dytë në Zyrën Ovale.
Siç raportoi Guardian US më herët në tetor, Trumpi është bërë gjithnjë e më jokoherent në tubimet e fushatës. Sipas ekspertëve mjekësorë, ai ka pengesa në fjalët e tij, ka bërë vazhdimisht deklarata shpifëse, teksa ka treguar po ashtu shenja të rënies së aftësisë njohëse, që është në përputhje me dikë që i afrohet të 80-ave.
Ndihmësit e fushatës së Harrisit kanë vënë në dukje tërheqjen e Trumpit nga një intervistë për “60 Minuta” në CBS News, dhe refuzimin e tij për të debatuar sërish me Harrisin, pas përballjes së tyre të 10 shtatorit.
Ata argumentojnë se ish-presidenti po "shmang shqyrtimin publik" dhe po u jep votuesve "përshtypjen se ai ka diçka për të fshehur dhe mund të mos jetë i gatshëm për këtë detyrë".
“Krahasoni moshën dhe vitalitetin e saj me të tijin”, ka thënë ndihmësi i lartë i Harrisit herët të shtunën.
Çështja me moshën dhe aftësitë e tij për të vazhduar udhëheqjen e shtyn presidentin, Joe Biden të ndërprente garën e tij për rizgjedhje në presidencë, gjatë verës. Demokrati 81-vjeçar u largua nga gara më 21 korrik dhe miratoi Harrisin për ta pasuar atë.
Sondazhet kombëtare tregojnë se Harrisi ka një avantazh gati katër pikë ndaj Trumpit në garën e 5 nëntorit për presidencën.
Partia Republikane zgjodhi Trumpin si kandidatin e tyre për zgjedhjet e 5 nëntorit, pavarësisht se ai u dënua në maj për falsifikim kriminal të të dhënave të biznesit për të mbuluar pagesat e “parave të heshtjes” ndaj një aktoreje të filmave për të rritur, e cila pretendonte se kishte pasur një takim seksual jashtëmartesor me Trumpin rreth një dekadë përpara kandidimit të tij për presidencën në vitin 2016.
Ndër problemet e tjera ligjore, ai po përballet me akuza penale se u përpoq të përmbyste në mënyrë të paligjshme humbjen e tij ndaj Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020.
LEXO EDHE:
Mjeku i Harrisit thotë se ajo është e aftë për të kryer detyrat si presidente
Zëvendëspresidentja njëherësh kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris, ka publikuar një letër nga mjeku i saj të shtunën, e cila thotë se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe të përshtatshme për poste të larta.
Mjeku i zëvendëspresidentes, Joshua Simmons, ka thënë se Harris ka një mënyrë jetese aktive dhe "dietë shumë të shëndetshme" pavarësisht një orari të ngjeshur. Ai po ashtu ka vënë në dukje se ajo vuan nga alergji, nuk përdor duhan dhe pi alkool vetëm me masë, raporton Reuters.
“Ajo zotëron elasticitetin fizik dhe mendor që kërkohet për të kryer me sukses detyrat e presidencës, duke përfshirë ato si shefe ekzekutive, kreu i shtetit dhe komandant i përgjithshëm”, ka shkruar doktori.
Harris, 59 vjeç, kandidon kundër republikanit Trump, 78 vjeç, për Shtëpinë e Bardhë. Publikimi i raportit të saj mjekësor është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj refuzimit të Trumpit për ta bërë këtë, sipas një ndihmësi të Harrisit.
Fushata e Harrisit është e etur për të nxjerrë në pah moshën e ish-presidentit që kur ai u bë kandidati më i vjetër në garë, pasi presidenti Joe Biden, 81 vjeç, u tërhoq nga gara kundrejt Trumpit për shkak të performancës së dobët gjatë debatit të parë me Trumpin.