Botë

Hamasi thotë se është gati të dorëzojë pengjet nëse situata korrigjohet

Hamasi, pengjet

Foto: Associated Press

Grupi militant palestinez në Gaza, Hamas, ka thënë se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit por fajëson Izraelin duke thënë se është përgjegjës për çdo ndërlikim apo vonesë. 

Basem Naim, zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se dera është e hapur për ndërmjetësuesit e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit që të ndërhyjnë dhe të kthejnë marrëveshjen e armëpushimit në rrugën e duhur.

"Ne nuk dëshirojmë që kjo marrëveshje të prishet. Ne po bëjmë maksimumin për të shmangur çdo pengesë, çdo sfidë dhe për këtë arsye jemi të gatshëm të dorëzojmë të burgosurit të shtunën e ardhshme nëse situata korrigjohet përmes ndërmjetësve”, ka deklaruar Naim.

Hamasi ka përsëritur gjithashtu refuzimin e planit të presidentit amerikan, Donald Trump për të "marrë kontrollin" e Gazës, duke i etiketuar komentet e presidentit si "raciste" dhe duke thënë se plani nuk do të ketë sukses.

"Lëvizja Hamas mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit për sa kohë që okupuesi i përmbahet asaj”, ka thënë grupi. 

Hamasi të hënën ka vendosur të pezullojë lirimin e tri pengjeve që parashihej t'ia dorëzonte Izraelit të shtunën, me arsyetimin se marrëveshja e armëpushimit është shkelur nga shteti izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka vënë të martën ultimatum Hamasi që të lirojë pengjet izraelite deri të shtunën në mesditë, ose do të rikthejë sulmet në Gaza. 

Një ditë më parë, edhe presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se Hamasi duhet t’i lirojë pengjet ose siç ka thënë “ferri do të shpërthejë” në Gaza.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasi që ka hyrë në fuqi më 19 janar, parashihej që në fazën e parë të tij të liroheshin 33 pengje izraelite në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael.

Deri më tani janë liruar 16 pengje, teksa pritet që të fillojnë së shpejti bisedimet për fazën e dytë e cila parasheh lirimin e të gjitha pengjeve izraelite që i mban Hamasi që nga sulmi i 7 tetorit të vitit 2023 në jug të Izraelit. 

Në këtë sulm, Hamasi kishte marrë 250 pengje, një pjesë prej të cilëve janë liruar në një armëpushim të vitit 2023, një pjesë tjetër janë gjetur nga forcat izraelite gjatë ofensivës në Gaza dhe një pjesë tjetër besohet se janë të vdekur.