Ushtruesi i detyrës së shefit të Hamasit në Gaza, Khalil al-Hayya, ka deklaruar të mërkurën se nuk do të ketë marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit me Izraelin, nëse nuk përfundon lufta në enklavën palestineze.
"Pa një fund të luftës, nuk mund të ketë shkëmbim të të burgosurve”, ka deklaruar Hayya në një intervistë televizive me kanalin televiziv të grupit Al-Aqsa, duke përsëritur qëndrimin e grupit se si t'i jepet fund luftës, raporton Reuters.
Përpjekjet për të negociuar një armëpushim për Gazën kanë ngecur dhe SHBA-ja vuri veto të mërkurën ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të përhershëm të pakushtëzuar.
Ambasadori i Washingtonit në OKB ka thënë se SHBA-ja do të mbështesë vetëm një rezolutë që kërkon në mënyrë eksplicite lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelite si pjesë e një armëpushimi.
Hayya, i cili udhëhoqi ekipin negociator të grupit në bisedimet me ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti, fajësoi për mungesën e progresit kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili nga ana e tij e mban grupin islamik përgjegjës për bisedimet e ngecura.
"Ka kontakte në zhvillim me disa vende dhe ndërmjetës për të ringjallur këtë negociim. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë me këto përpjekje, por është më e rëndësishme të shohim një vullnet të vërtetë nga ana e okupuesit për t'i dhënë fund agresionit”, është shprehur Hayya.
“Realiteti dëshmon se Netanyahu është ai që i minon negociatat”, ka shtuar ai.
Duke folur gjatë një vizite në Gaza të martën, Netanyahu ka thënë se Hamasi nuk do të sundojë enklavën palestineze pas përfundimit të luftës dhe se Izraeli ka shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik.