Botë

Hamasi publikon videon e një pengu izraelit e cila kërkon armëpushim

Liri Albag

Hamasi ka postuar një video që tregon një 19-vjeçare izraelite të mbajtur rob, teksa bisedimet indirekte midis grupit dhe Izraelit për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve kanë rinisur në Katar.

Pamjet tregojnë gruan me emrin Liri Albag duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të arrijë një marrëveshje, raporton BBC.

Ajo është marr peng së bashku me gjashtë ushtare të tjera gra të rekrutuara në bazën ushtarake Nahal Oz në kufirin e Gazës, gjatë sulmit të Hamasit në tetor të vitit 2023. Pesë prej tyre mbeten në robëri.

Njoftimi për bisedimet e rikthyera erdhi pasi Izraeli intensifikoi sulmet në Gaza, teksa mjekët palestinezë thanë se më shumë se 30 njerëz janë vrarë vetëm në bombardimet e të shtunën.

Një sulm në një shtëpi në qytetin e Gazës të shtunën ka lënë të vdekur 11 persona, përfshirë shtatë fëmijë, sipas agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi.

Ushtria izraelite ka thënë të dielën së ka goditur më shumë se 100 “objektiva terroriste” në Rripin e Gazës gjatë dy ditëve të fundit dhe se ka "eliminuar dhjetëra terroristë të Hamasit".

Selia e Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, e cila përfaqëson familjet e pengjeve, ka thënë se videoja nga Liri ishte "provë e ashpër dhe e pamohueshme e urgjencës për sjelljen e të gjithë pengjeve në shtëpi".

Në një telefonatë me prindërit e Lira Albag, presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka thënë se delegacioni i vendit të tij do të qëndrojë në tryezën e bisedimeve derisa të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi.

Zyrtarët izraelitë e kanë përshkruar më parë publikimin e videove të tilla nga Hamasi si luftë psikologjike.

Muajin e kaluar, një zyrtar i lartë palestinez i ka thënë BBC-së se bisedimet për të arritur një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve ishin kryesisht të përfunduara, por çështjet kyçe ende duheshin kapërcyer.