Grupi militant palestinez, Hamas, ka thënë se ka vendosur të pezullojë lirimin e çdo pengu tjetër izraelit, deri në një njoftim tjetër.
Sipas grupit, vendimi është një përgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit të Gazës nga Izraeli, e cila filloi muajin e kaluar., raporton BBC.
Tri pengje parashihej se do të liroheshin më 15 shkurt.
“Gjatë tri javëve të fundit, udhëheqja e rezistencës ka monitoruar shkeljet e armikut dhe mosrespektimin e kushteve të marrëveshjes. Këto shkelje përfshijnë vonimin e kthimit të personave të zhvendosur në Gazën veriore, shënjestrimin e tyre me bombardime dhe të shtëna me armë në zona të ndryshme të Rripit dhe dështimin për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare në të gjitha format e saj të dakorduara. Ndërkohë, rezistenca ka respektuar plotësisht angazhimet e saj. Për rrjedhojë, lirimi i të burgosurve sionistë, i cili ishte planifikuar për të shtunën, më 15 shkurt 2025, do të shtyhet deri në një njoftim tjetër”, thuhet në njoftimin e Hamasit.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit e cila ka hyrë në fuqi më 19 janar, 33 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael.
Deri më tani janë liruar 16 pengje izraelite dhe 566 të burgosur palestinezë.
Izraeli thotë se tetë nga 33 pengjet janë të vdekur.
Izraeli thotë se është i përgatitur për çdo lloj skenari në Gaza
Izraeli i është përgjigjur vendimit të Hamasit për të pezulluar lirimin e pengjeve, duke thënë se është i përgatitur “për çdo skenar në Gaza”.
“Njoftimi i Hamasit për të ndaluar lirimin e pengjeve izraelitë është një shkelje e plotë e marrëveshjes së armëpushimit dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve. Kam udhëzuar IDF-në që të përgatitet në nivelin më të lartë të gatishmërisë për çdo skenar të mundshëm në Gaza dhe të mbrojë komunitetet. Nuk do të lejojmë kthimin në realitetin e 7 tetorit”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.