E përditësuar (10:01) - Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se trupat e katër pengjeve u janë dorëzuar forcave izraelite në Gaza.
Në një deklaratë, ajo ka njoftuar se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tani do t'i çojnë ata në institutin mjekoligjor “Abu Kabir” në Jaffa për identifikim zyrtar, raporton BBC.
Sipas zyrës së kryeministrisë, familjet e pengjeve të vdekur do të njoftohen zyrtarisht pasi të konfirmohet vdekja e tyre pas testimit.
Në mesin e katër trupave janë dy fëmijë të vegjël dhe nëna e tyre. Të gjithë ishin marrë peng në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit.
Hamasi ka thënë se ka bërë gjithçka për t'i ruajtur pengjet të gjalla, duke pretenduar se ata që sapo ia ka dorëzuar Izraelit janë vrarë nga sulmet izraelite.
Hamasi nis transferimin e trupave të katër pengjeve tek Izraeli
Grupi militant palestinez Hamas ka nisur të enjten transferimin e trupave të katër pengjeve të vdekur izraelit që po i mbante që nga tetori i vitit 2023.
Grupi ka thënë se në mesin e tyre janë tre anëtarë të një familjeje, nëna me dy fëmijët e saj të vegjël, të cilët ishin nëntë muaj e katër vjeç kur ishin rrëmbyer, raporton BBC.
Është lirimi i parë i pengjeve të vdekur që nga fillimi i armëpushimit në Gaza muajin e kaluar.
Hamasi pretendon se tre anëtarët e familjes Bibas, ishin vrarë në një sulm izraelit në nëntor të vitit 2023.
Izraeli nuk e ka konfirmuar këtë dhe thotë se do të konfirmojë identitetin e tyre vetëm pas testeve mjeko-ligjore.