Botë

Hamasi s’do të lejohet të vendosë për fatin e njerëzve, thotë Blinkeni

Antony Blinken

Antony Blinken

Foto: Associated Press

E përditësuar (16:09) - Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar të mërkurën se Hamasi “nuk mundet dhe nuk do të lejohet” të përcaktojë të ardhmen e njerëzve në rajon, pasi grupi kishte kërkuar “një numër ndryshimesh” në planin e armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja.

Blinkeni e ka bërë këtë deklaratë gjatë një konference për media në Doha të Katarit, ku po qëndron në kuadër të vizitës së tij të tetë në lindjen e mesme, që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas, raporton AP.

Ai ka shtuar se SHBA-ja dhe partnerët janë duke punuar në një plan post-lufte, dhe se ata do të parashtronin "propozime për elementët kryesorë të planit të ditës pasuese, duke përfshirë ide konkrete se si të menaxhohet qeverisja, siguria, rindërtimi".

Blinkeni po qëndron në rajon për të ndikuar në arritjen e një armëpushimi ndërmjet     Izraelit e Hamasit.

Grupi militant ka lëshuar përgjigjen e parë zyrtare për planin e armëpushimit të martën pasdite, duke kërkuar “amandamente” në marrëveshje.

Propozimi ka ngjallur shpresat për përfundimin e konfliktit në të cilin, bombardimet dhe ofensivat tokësore të Izraelit kanë lënë të vdekur që nga tetori, më shumë se 37,00 palestinezë, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Izraeli e ka nisur luftën pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1,200 persona dhe u morën peng rreth 250 të tjerë. 

Mbi 100 pengje janë liruar gjatë një armëpushimi të arritur vitin e kaluar. Hamasi mban edhe rreth 120 pengje, një e treta e të cilëve besohet se janë të vdekur. 

Propozimi i armëpushimit i prezantuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, është një plan tre fazësh, që do të niste me një armëpushim gjashtë javor dhe lirimin e disa pengjeve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.

Sipas propozimit, forcat izraelite do të tërhiqeshin nga zonat e populluara dhe civilët palestinezë do të lejojeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. 

Grupi militant e kishte pranuar një plan të ngjashëm muajin e kaluar, i cili ishte refuzuar nga Izraeli.


Hamasi kërkoi disa ndryshime të pazbatueshme në planin e armëpushimit, thotë Blinkeni

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të mërkurën se lufta në Gaza do të vazhdojë pasi Hamasi ka propozuar “disa” ndryshime në planin e armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja, disa prej të cilave sipas tij janë të zbatueshme, ndërkaq disa jo.

Blinkeni nuk ka përmendur se cilat janë ndryshimet që ka kërkuar Hamasi, raporton AP.

Duke folur para gazetarëve në Katar, ai ka thënë se SHBA-ja dhe ndërmjetësuesit e tjerë do të përpiqen që “ta përafrojnë marrëveshjen”.

Blinkeni po qëndron në Lindje të Mesme për herë të tetë që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas, në përpjekje për të ndikuar në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.

Grupi militant palestinez u ka kthyer përgjigje ndërmjetësuesve të martën për planin e armëpushimit, mirëpo ata kanë kërkuar “amandamentimin” e marrëveshjes. 

Komentet e kryediplomatit amerikan erdhën pasi Hezbollahu i Libanit hodhi një breshëri masive raketash në veri të Izraelit për t'u hakmarrë për vrasjen e një komandanti të lartë, duke përshkallëzuar më tej tensionet rajonale. 

Hezbollahu, një aleat i Hamasit i mbështetur nga Irani, ka shkëmbyer zjarr me Izraelin pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës 8-mujore Izrael-Hamas dhe thotë se ajo do të ndalet vetëm nëse ka një armëpushim në Gaza. 

Kjo ka ngritur frikën për një luftë edhe më shkatërruese rajonale.

LEXO EDHE: