Grupi militant i Hamasit iu ka kundërpërgjigjur kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se do të lirojë pengjet izraelite vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm në Rripin e Gazës.
Hamasi e ka akuzuar Trumpin dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se po përpiqen të tërhiqen nga një marrëveshje armëpushimi që është arritur në janar. Marrëveshja bën thirrje për negociata gjatë fazës së dytë, ku pengjet do të liroheshin në këmbim të burgosurve palestinezë, do arrihej armëpushim i përhershëm dhe trupat izraelite do tërhiqeshin nga Gaza.
Zëdhënësi i Hamasi, Abdel-Latif al-Qanoua ka thënë se “rruga më e mirë për të liruar pengjet izraelite” është përmes negociatave në atë fazë, që ishte dashur të fillonte në fillim të shkurtit. Deri tash, janë mbajtur bisedime të kufizuara përgatitore, raportoi AP.
Trumpi ka lëshuar “paralajmërimin e fundit” për Hamasin, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ka nisur bisedime direkte me Hamasin.
“Lironi të gjitha pengjet tani, jo më vonë, dhe menjëherë ktheni të gjithë trupat e të vdekurve që i keni vrarë, ose do të jetë FUNDI për ju”, ka shkruar Trumpi.