Botë

Hamasi i hapur për armëpushim afatgjatë në Gaza, por nuk pranon çarmatimin

hamasi

Foto: Associated Press

Grupi militant palestinez në Gaza, Hamas, është i hapur për një armëpushim disavjeçar me Izraelin, por nuk është i gatshëm të çarmatoset, ka deklaruar të shtunën një zyrtar i grupit, derisa liderët e grupit militant u takuan me ndërmjetësuesit në Kajro për të biseduar rreth armëpushimit, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”. 

Hamasi është munduar që të marrë mbështetje nga ndërmjetësuesit për ofertën e tij, duke shtuar se grupi mund të pajtohet me një armëpushim 5 deri në 7-vjeçar në këmbim për të përfunduar luftën, duke dhënë hapësirë për rindërtimin e Gazës, lirimin e palestinezëve të burgosur nga Izraeli dhe lirimin e të gjitha pengjeve izraelite nga Hamasi. 

“Ideja e një armëpushimi apo jetëgjatësisë së tij nuk refuzohet nga ne, dhe ne jemi të gatshëm ta diskutojmë atë brenda kornizës së negociatave. Ne jemi të hapur për çdo propozim serioz për të përfunduar luftën”, ka deklaruar Taher Al-Nono, këshilltari për media për lidershipin e Hamasit, në sinjalin e parë të qartë se grupi është i hapur për një armëpushim afatgjatë. 

Gjithsesi, Nono përjashtoi kërkesën kyçe të Izraelit që Hamasi të çarmatoset. Izraeli e dëshiron një Gaza të demilitarizuar. 

“Rezistenca e armatosur nuk është e negociueshme dhe do të qëndroj në duart tona aq gjatë sa ekziston pushtimi”, ka shtuar Nono. 

Hamasi në të kaluarën ka sinjalizuar se mund të pajtohet me një armëpushim afatgjatë në këmbim për përfundimin e pushtimit izraelit, por ky qëndrim më vonë u bë pjesë e një oferte më të gjerë. 

Izraeli ka rifilluar ofensivën në Gaza më 18 mars, pasi armëpushimi i janarit kolapsoi, duke thënë se do të rriste presionin derisa Hamasi të lirojë 59 pengjet izraelite të mbetura në Gaza. 24 prej tyre besohet se janë akoma gjallë. 

Izraeli i ka bllokuar të gjitha ndihmat për në enklavën e shkatërruar dhe qindra mijëra njerëz janë zhvendosur derisa forcat izraelite kanë pushtuar territore në zonat që i kishte njohur si neutrale. Më shumë se 2,000 palestinezë, shumica civilë, janë vrarë që nga rifillimi i ofensivës izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës që kontrollohen nga Hamasi.

Lufta është nxitur nga Hamasi me sulmin e 7 tetorit të 2023-tës, që vrau më shumë se 1,200 izraelitë dhe kidnapoi 251 të tjerë. Që nga atëherë, më shumë se 51,400 palestinezë janë vrarë në ofensivën izraelite në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.