Hamasi dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të përfunduar luftën në Gaza dhe të këmbejë të gjithë pengjet izraelite për palestinezët në burgjet izraelite, ka deklaruar një zyrtarë i lartë nga grupi militant palestinez, duke refuzuar ofertën e Izraelit për armëpushim të përkohshëm, ka raportuar agjencia e lajmeve “Retuers”.
Khalil Al-Hayya, shefi i grupit për Gaza që udhëheqë ekipin negociues, ka deklaruar se Hamasi më nuk do të pranojë marrëveshje të përkohshme, duke iu përshtatur pozicionit që Izraeli nuk ka gjasa ta pranojë dhe potencialisht duke vonuar më tej fundin e sulmeve shkatërruese që rifilluan javët e fundit.
Në vend të kësaj, Hayya ka thënë se Hamasi është i gatshëm që menjëherë të angazhohet në “paketa gjithëpërfshirëse negociatore” për t’i liruar të gjitha pengjet e mbetura në këmbim të përfundimit të luftës në Gazë, lirimin e palestinezëve të burgosur nga Izraeli, dhe rindërtimin e Gazës.
“Netanyahu dhe qeveria e tij përdorin marrëveshje të pjesshme si mbulesë për agjendat e tyre politike, që bazohet në vazhdimin e luftës së shfarosjes dhe urisë, edhe nëse çmimi është sakrifikimi i të gjitha pengjeve të tij”, ka thënë Hayya, duke ju referuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ndërmjetësuesit egjiptianë kanë punuar për të rivendosur marrëveshjen e armëpushimit të janarit që i ndaloj luftimet në Gaza para se të thyhej muajin e kaluar, po që nga atëherë ka pasur shenja të vogla të progresit me Izraelin dhe Hamasin që e fajësojnë njëri-tjetrin.
“Komentet e Hamasit demonstrojnë se ata nuk janë të interesuar në paqe por për dhunë të përhershme. Kushtet e bëra nga administrata e Trumpit nuk kanë ndryshuar; lironi pengjet ose përballuni me ferrin”, ka deklaruar zyrtari për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, James Hewitt.
Izraeli më herët ka propozuar një armëpushim 45-ditor në Gaza për të lejuar lirimin e pengjeve dhe potencialisht të fillojë bisedimet indirekte për të përfunduar luftën. Hamasi veçse e ka refuzuar njërin nga kushtet – që t’i dorëzoj armët. Në fjalimin e tij, Hayya ka akuzuar Izraelin për ofrimin e një kundërpropozimi me “kushte të pamundshme”.
Në mars ushtria izraelite ka rifilluar ofensivat tokësore dhe ajrore në Gaza, duke braktisur armëpushimin pasi Hamasi ka refuzuar propozimet për të zgjeruar armëpushimin pa e përfunduar luftën.
Zyrtarët izraelit thonë se ofensiva do të vazhdojë derisa 59 pengjet e mbetur të lirohen dhe Gaza të demilitarizohet. Hamasi insiston se do t’i lirojë pengjet vetëm si pjesë e një marrëveshje për të përfunduar luftën dhe ka refuzuar kërkesat për t’i dorëzuar armët.