Hamasi ka bërë të ditur të enjten se do të dërgojë një delegacion në Kajro sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim të vazhdimit të bisedimeve për armëpushim, në përgjigje të propozimit të fundit të Egjiptit.
Përmes një deklarate, udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh ka thënë se ka folur me shefin e inteligjencës së Egjiptit. Në deklaratë nuk thuhet se kur do të udhëtojë delegacioni për në Kajro.
Nëse lufta Izrael-Hamas do të ndalonte sot, do të duhej të bëheshin punime deri në vitin 2040 për të rindërtuar të gjitha shtëpitë që janë shkatërruar në gati shtatë muaj të bombardimeve të Izraelit dhe ofensivave tokësore në territor, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara të publikuara të enjten, raporton “Associated Press”.
Ndërkohë, në vizitën e tij të shtatë që nga shpërthimi i luftës së fundit midis Izraelit dhe Hamasit në tetor, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken ka bërë presion për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.
Propozimi për armëpushim përfshin lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të ndalimit të luftimeve dhe dërgimit të ushqimit, ilaçeve dhe ujit në Gaza. Të burgosurit palestinezë gjithashtu pritet të lirohen si pjesë e marrëveshjes.