Hamasi pritet ta mbajë sekret identitetin e liderit të ri, i ka thënë BBC-së një zyrtar i grupit të mbështetur nga Irani.
Të njëjtën gjë e kishte bërë në vitin 2003 pas vrasjes së shefit të atëhershëm të Hamasit, Sheikh Ahmed Yassin, nga Izraeli, dhe atë të pasuesit të tij, Dr Abdel Aziz al-Rantissi.
Grupi synon të zgjedhë një lider të ri në mars të vitit të ardhshëm, por deri atëherë do të drejtohet nga një komitet prej pesë anëtarësh.
Komiteti do të përbëhet nga Khalil al-Hayya, Khaled Meshaal, Zaher Jabarin, Muhammad Darwish, kreu i Këshillit Shura, dhe një individ i pestë, identiteti i të cilit mbetet i pazbuluar.
Zyrtari tregoi se Khalil al-Hayya ka marrë përgjegjësinë për shumicën e çështjeve politike dhe të jashtme, përveç mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë të çështjeve që lidhen me Gazën.
Si rezultat, ai po funksionon efektivisht si drejtuesi në detyrë i lëvizjes.
Zyrtari ka shtuar se Hamasi ishte befasuar nga mënyra se si u vra Jahya Sinwar javën e kaluar pasi kuptuan se ai ishte në një vend shumë më të sigurt në kohën e vrasjes së tij.
Duke trajtuar çështjen e pengjeve, zyrtari më pas pohoi se lëvizja posedon aftësinë dhe personelin për të garantuar sigurinë e tyre, ndonëse ai nuk dha detaje specifike.
Ai gjithashtu ka vënë në dukje se ka pasur negociata minimale që nga qershori i kaluar.
Zyrtari zbuloi se ministri i Jashtëm iranian ishte takuar me Khalil al-Hayya të premten në kryeqytetin turk Ankara, të cilit i kishte shprehur ngushëllimet e tij për martirizimin e Sinwarit, duke thënë po ashtu se Irani pret që sulmi izraelit mbi shtet të ndodhë një javë ose më pak përpara zgjedhjeve në SHBA.