Gaza

Hamasi dërgon delegacion në Egjipt për t’i vazhduar diskutimet për armëpushim

Gaza

Foto: Associated Press

Hamasi ka thënë të enjten se po e dërgon një delegacion në Egjipt për bisedime të mëtutjeshme për armëpushim me Izraelin. Kjo është një shenjë e re e përparimit të bërë në përpjekjet e ndërmjetësve ndërkombëtarë për të arritur një dakordim mes Izraelit dhe Hamasit që do t’i jepte fund luftës në Gaza, raporton agjencia “AP”. 

Pas muajve negociata, përpjekjet për armëpushim duket se kanë arritur një fazë kritike, ku ndërmjetësit nga Egjipti dhe SHBA-ja raportuan shenja të kompromisit në ditët e fundit. Por, ende një marrëveshje nuk është afër. Izraeli kishte thënë se nuk do ta ndalë luftën derisa të shkatërrohet Hamasi. 

Në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara është thënë se nëse lufta Izrael – Hamas mbaron sot, atëherë duhet deri në vitin 2040 që të rindërtohen të gjitha shtëpitë e shkatërruara nga shtatë muaj bombardime izraelite dhe ofensivë tokësore në Gaza. 

Propozimi që ndërmjetësit nga SHBA-ja dhe Egjipti i kanë bërë Hamasit – me sa duket i pranuar nga Izraeli – përcakton një proces me tri faza që do të sillte një armëpushim të menjëhershëm gjashtëjavor dhe lirim të pjesshëm të pengjeve izraelite, por edhe negociata për një “qetësi të përhershme” që përfshin një lloj tërheqjeje të Izraelit nga Gaza, është thënë nga një zyrtar i Egjiptit. 
Hamasi po kërkon garanci për një tërheqje të plotë të Izraelit dhe përfundimin e plotë të luftës. 
Zyrtarët e Hamasit kanë dërguar sinjale të përziera në ditët e fundit rreth propozimit. Madje zyrtari i Hamasit, Suhail al-Hindi, për agjencinë “AFP” tha se është refuzuar propozimi i fundit, porse diskutimet po vazhdojnë. 

Të enjten lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha në një deklaratë se ka folur me shefin e inteligjencës së Egjiptit dhe “theksoi frymën pozitive në analizimin e propozimit të armëpushimit”. 
Në deklaratë u tha se negociatorët e Hamasit  do të udhëtojnë në Kajro për “t’i përfunduar diskutimet me synim për të ecur para drejt një marrëveshjeje”. Haniyeh tha se kishte folur gjithashtu me kryeministrin e Katarit, një tjetër ndërmjetës kyç në proces. 

Ndërmjetësuesit shpresojnë se marrëveshja do t’i japë fund një konflikti ku kanë mbetur të vrarë mbi 34 mijë palestinezë, bazuar në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Po ashtu është shkaktuar një shkatërrim i gjerë në Gaza dhe ka sjellë territorin në një krizë humanitare. 

Me marrëveshjen e armëpushimit synohet të shmanget një sulm izraelit në Rafah, ku më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës kanë kërkuar strehim nga lufta. 

Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, pasi militantët e Hamasit u futën brenda territorit izraelit duke vrarë rreth 1200 persona e mbarë afro 250 pengje. Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza, ku tha se synimi është shkatërrimi i Hamasit.