Hamasi kishte një plan të paramenduar për të përdorur dhunën seksuale si një armë lufte, ka thënë një avokate dhe aktiviste izraelite për të drejtat e grave.
Profesoresha Ruth Halperin-Kaddari ka thënë se ajo pa shumë gra, gjendja e të cilave e la atë të nënkuptonte pa “asnjë dyshim” se ato ishin përdhunuar.
Ka pasur zemërim të shprehur për vonesën e disa organeve të OKB-së për të pranuar pretendimet për mizoritë seksuale të Hamasit më 7 tetor.
Shkalla e dhunës seksuale të kryer nga Hamasi gjatë sulmeve të tetorit nuk është ende e qartë, por policia izraelite ka thënë se deri më tani ka mbledhur më shumë se 1.500 dëshmi nga dëshmitarë dhe mjekë.
Fotografitë dhe pamjet e drejtpërdrejta të transmetuara nga militantët treguan natyrën e tmerrshme të sulmeve në festivalin Supernova.
Një sërë mizorish nga përdhunimet në grup deri tek gjymtimi seksual i viktimave të vrara po hetohen nga policia.
“Unë kam parë një numër të dëshmitarëve okularë të dorës së parë, për shembull të një të mbijetuare që u fsheh në shkurre dhe pa një grua pranë saj duke u përdhunuar nga disa burra”, ka thënë Prof. Halperin-Kaddari për programin Today të BBC Radio 4.
Ajo ka thënë se ka folur gjithashtu me një ndihmës mjek i cili kishte trajtuar një grua që humbi një sasi të madhe gjaku pasi raportoi se ishte përdhunuar nga katër burra.
“Pashë pamjet dhe fotografitë nga shumë trupa, gjendja e të cilëve shfaqte të njëjtin model gjymtimi dhe nuk linte asnjë dyshim se përdhunimi ishte kryer mbi këto gra përpara se ato të ekzekutoheshin”, tha ajo. “Kjo nuk lë asnjë dyshim se një përqendrim i tillë i rasteve në një hark kohor relativisht të shkurtër - më pak se një ditë - në shumë lokacione, nuk mund të ishte nëse nuk kishte pasur një plan të paramenduar, për të përdorur dhunën seksuale si një armë lufte”.
Hamasi i ka mohuar këto abuzime. Një zyrtar, Basem Naim, ka thënë për The Washington Post se grupi e konsideron “çdo marrëdhënie seksuale ose aktivitet jashtë martesës si plotësisht haram” - të ndaluar nga Islami.
Aktivistët izraelitë për të drejtat e grave u kanë bërë thirrje organizatave kryesore ndërkombëtare që të pranojnë publikisht raportet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale, pas sulmeve të Hamasit.
Prof. Halperin-Kaddari, e cila i kaloi 12 vjet si anëtare e përpilimit të një konvente të OKB-së për diskriminimin ndaj grave, ka thënë se ajo dhe të tjerët u kanë bërë thirrje organeve të OKB-së që të pranojnë këto “krime kundër njerëzimit”.
“Fatkeqësisht, deri një javë më parë, asnjëri prej tyre nuk e kishte thënë fjalën eksplicite ‘dhunë seksuale’. U deshën më shumë se shtatë javë”, tha ajo.
OKB-ja ende nuk u është përgjigjur akuzave për vonesë, por Prof. Halperin-Kaddari ka vizituar OKB-në në Gjenevë vetëm një javë më parë për të tërhequr vëmendjen ndaj dhunës.
UN Women lëshoi një deklaratë - tetë javë pas sulmeve - duke pranuar rrëfimet e mizorive të bazuara në gjini.
“Kjo u mori atyre shumë kohë, shumë kohë”, ka shtuar Prof. Halperin-Kaddari.
Yael Sherer nga Grupi Mbrojtës i të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale ka thënë për Today se burrat ishin gjithashtu viktima të dhunës seksuale më 7 tetor.
Ajo ka thënë se po mblidhen prova nga disa të mbijetuar të sulmeve, si dhe dëshmitarë okularë.
“Terroristët e Hamasit u siguruan që t’i turpërojnë këta njerëz dhe t’i çnderojnë ata në shumë mënyra”, tha ajo.
“Kjo përfshinte dhunën e ushtruar mbi trupat e viktimave pasi ato kishin vdekur”, shtoi Sherer.
Një komision hetimor i OKB-së po heton krimet e luftës në të dyja anët e konfliktit Izrael-Hamas. Megjithatë, Izraeli deri më tani nuk ka bashkëpunuar me komisionin, duke e parë atë si të njëanshëm.
Sulmi i Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor la të vrarë 1.200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.
Që atëherë Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se afro 16 mijë njerëz janë vrarë në fushatën ushtarake të Izraelit, të cilën Izraeli e nisi si kundërpërgjigje.
Përktheu: Forca Jashari