Zyrtarët palestinezë kanë thënë se Fatahu dhe Hamasi po i afrohen një marrëveshjeje për të caktuar një komitet teknokratësh politikisht të pavarur për të administruar Rripin e Gazës pas luftës. Kjo do t’i jepte fund sundimit të Hamasit dhe do të ndihmonte në avancimin e bisedimeve për armëpushim me Izraelin.
Fraksionet rivale kanë bërë disa përpjekje të dështuara për t’u pajtuar që kur Hamasi pati marrë pushtetin në Gaza më 2007. Izraeli ndërkohë ka përjashtuar çdo rol të mundshëm të Hamasit apo Fatahut në Gaza pas luftës.
Një zyrtar palestinez ka konfirmuar se një marrëveshje paraprake është arritur pas javëve negocimesh në Kajro. Ai ka theksuar se komiteti do t’i ketë 12-15 anëtarë, shumica nga Gaza, raportoi AP.
Komiteti do t’i raportojë Autoritetit Palestinez dhe do të punojë me palët lokale e ndërkombëtare për të ndërmjetësuar ndihmat humanitare dhe rindërtimin.
Një zyrtar i Hamasit ka thënë se Hamasi dhe Fatahu janë pajtuar në terma të përgjithshëm, por se po negociojnë ende mbi disa detaje dhe individë që do të shërbejnë në komitet.