Një zyrtar i Hamasit ka thënë të martën se pengjet izraelite mund të kthehen në shtëpi nga Gaza vetëm nëse respektohet armëpushimi, tek ka dënuar “gjuhën e kërcënimeve”, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka theksuar se “do të shpërthejë gjithçka”, nëse pengjet nuk lirohen.
Hamasi ka filluar t’i lirojë gradualisht disa pengje bazuar në armëpushimin që ka hyrë në fuqi nga 19 janari, por e ka shtyrë më tej lirimin deri në njoftimin e radhës, duke akuzuar Izraelin për shkelje të kushteve të marrëveshjes. Sipas Hamasit, ushtria izraelite po vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, raporton Reuters.
Trump, një aleat i ngushtë i Izraelit, të hënën ka thënë se Hamasi duhet t’i lirojë të gjithë pengjet e mbajtura nga grupi militant deri në mesditën e së shtunës ose do të propozojë anulimin e armëpushimit Izrael-Hamas.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka theksuar se Izraeli mbetet i vendosur për t’i rikthyer të gjitha pengjet.
“Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime të vendosura dhe të pamëshirshme derisa t’i kthejmë të gjithë pengjet tona - të gjallët dhe të vdekurit”, ka theksuar ai.