Një grup i hakerëve prorusë kanë sulmuar uebfaqet qeveritare të Italisë të martën, si reagim ndaj fjalimit të presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, që e krahasoi pushtimin rus të Ukrainës me luftërat pushtuese të nazistëve, raporton agjencia “AP”.
Grupi i hakerëve “NoName57”, që njoftoi në rrjetet sociale për sulmin, ka shënjestruar uebfaqet e ministreve të Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Transportit si dhe të agjencive të Policisë.
Po ashtu grupi ka thënë të hënën se u sulmuan bankat italiane, portet, aeroportet dhe agjencitë lokale të transportit në Itali, por ato sulme kibernetike nuk shkaktuan çrregullime të mëdha.
Mattarella, i pyetur për sulmet gjatë vizitës në Mal të Zi, ka thënë se shpreson që Rusia “do të kthehet e të luajë rol të madh e të rëndësishëm në komunitetin ndërkombëtar, duke respektuar parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe dinjitetit dhe sovranitetit të çdo shteti”.
E në fjalimin në Marseille të Francës më 5 shkurt, Mattarella, tha se modelet që dërguan te Lufta e Dytë Botërore po përsëriten, përfshirë “luftërat pushtuese”.
“Ky ishte projekti i Reichut të Tretë në Evropë. Agresioni i sotëm rus kundër Evropës është i kësaj natyre”, tha ai.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka shprehur tronditje për fjalët e Mattarellas.