Një grup hakerësh iranianë po vëzhgon në mënyrë aktive faqet e internetit të lidhura me zgjedhjet në SHBA dhe mediat amerikane, me afrimin e ditës së zgjedhjeve, sipas një raporti të Microsoft-it të botuar të mërkurën.
Microsoft thotë se aktiviteti nënkupton për "përgatitje për operacione me ndikim më të drejtpërdrejtë", raporton Reuters.
Hakerët, të emëruar nga Microsoft si “Cotton Sandstorm” dhe të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, kryen hetim të kufizuar të shumë “faqeve të internetit të lidhura me zgjedhjet” në disa shtete të paidentifikuara, thotë raporti.
Në maj, ata skanuan gjithashtu një media të paidentifikuar të lajmeve në SHBA për të kuptuar dobësitë e saj.
Zhvillimi është veçanërisht shqetësues për shkak të përpjekjeve të mëparshme të grupit për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA.
Një zëdhënës i misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara ka thënë se "akuza të tilla janë thelbësisht të pabaza dhe krejtësisht të papranueshme".
“Irani nuk ka asnjë motiv dhe as synim për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së”, ka deklaruar ai.
Në vitin 2020, “Cotton Sandstorm” nisi një operacion ndikimi, pak përpara zgjedhjeve të fundit presidenciale. Duke u paraqitur si "Djemtë krenarë" të krahut të djathtë, hakerët u dërguan mijëra e-mail banorëve të Floridës, duke i kërcënuar për mënyrën e votimit.
Ndonëse ai operacion nuk ndikoi kurrë në sistemet individuale të votimit, qëllimi ishte të shkaktonte kaos, konfuzion dhe dyshim, thanë zyrtarët e lartë amerikanë në atë kohë.