Botë

Guterres kërkon që industrisë së karburanteve fosile t’i ndalohet reklamimi

Antonio Guterres

Antonio Guterres

Foto: Associated Press

Industritë e karburanteve fosile në botë duhet të ndalohen së reklamuari për të ndihmuar në shpëtimin e botës nga ndryshimet klimatike, ka thënë të mërkurën kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ai i ka quajtur korporatat e qymyrit, naftës dhe gazit "kumbarët e kaosit klimatik", të cilët siç ka thënë, kishin shtrembëruar të vërtetën dhe kishin mashtruar publikun për dekada, raporton BBC.

Guterres ka thënë se ashtu siç u ndalua reklamimi i duhanit për shkak të kërcënimit ndaj shëndetit, e njëjta gjë duhet të zbatohet tani për lëndët djegëse fosile.

Vërejtjet e tij po shihen si dënimi më i keq deri më tani për industritë përgjegjëse për pjesën më të madhe të ngrohjes globale. 

Ato erdhën pasi studimet e reja treguan se shkalla e ngrohjes po rritet dhe se rekordet globale të nxehtësisë kanë vazhduar të bien. 

Të dhënat nga shërbimi klimatik i BE-së konfirmojnë se secili prej 12 muajve të fundit ka vendosur një rekord të ri të temperaturës globale për kohën e vitit. 

Temperaturat e larta u nxitën nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit, megjithëse atyre iu dha një nxitje e vogël edhe nga fenomeni klimatik El Nino.

Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar dhe Organizata Botërore Meteorologjike (ËMO) ka thënë të mërkurën se rekordi mund të bjerë përsëri këtë vit. 

Një grup prej rreth 50 shkencëtarësh kryesorë raportuan veçmas se shkalla e ngrohjes globale të shkaktuar nga njerëzit ka vazhduar të rritet.