Botë

Grusht shtet i dështuar në Bolivi

Arrestimi i Juan José Zúñigas

Arrestimi i Juan José Zúñigas

Foto: Associated Press

Gjenerali i ushtrisë së Bolivisë, Juan José Zúñiga, i cili thuhet se është shkarkuar në fillim të javës, është përpjekur ta merrte pushtetin e shtetit me 12.5 milionë banorë në Amerikën e Jugut. Këtë e ka bërë duke udhëhequr trupa dhe tanke për ta sulmuar Pallatin Presidencial dhe sheshin qendror në kryeqytetin administrativ La Paz të mërkurën pasdite. Por presidenti i Bolivisë, Luis Arce, ka vepruar shpejt duke emëruar një komandant të ri, i cili ka tërhequr ushtrinë

Automjete të blinduara janë futur në dyert e pallatit të Qeverisë së Bolivisë të mërkurën, teksa presidenti Luis Arce ka thënë se vendi i tij është përballur me një tentativë të dukshme të grusht shtetit. Por ai është zotuar të qëndrojë i palëkundur dhe e ka emëruar një komandant të ri të ushtrisë, i cili i ka urdhëruar trupat të largoheshin.

Në një mënyrë, kjo kryengritje ka qenë kulmi i tensioneve që e kanë prekur Bolivinë për muaj të tërë. Protestues kanë dalë në kryeqytetin Sucre në mes të krizës së rëndë ekonomike në kohën kur dy titanët politikë luftojnë për kontroll të partisë që është në pushtet.

Në të njëjtën kohë, përpjekjes për ta marrë nën kontroll pallatin është dukur sikur i ka munguar ndonjë mbështetje domethënëse dhe madje edhe rivalët e Arces shpejt kanë dalë në mbrojtje të demokracisë dhe për ta hedhur poshtë kryengritjen.

Çfarë e shkaktoi?

Kryengritja e së mërkurës duket të jetë udhëhequr nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, Juan José Zúñiga, i cili u ka thënë gazetarëve që janë mbledhur në sheshin jashtë pallatit se “me siguri, edhe pak do të ketë një kabinet të ri të ministrave; vendi ynë, shteti ynë, nuk mund të vazhdojë më kështu”. Por ai ka shtuar se e njeh Arcen si komandant të përgjithshëm “tani për tani”.

Zúñiga nuk ka thënë drejtpërdrejt nëse ka qenë lideri i kryengritjes, por në pallat, me goditjet që jehonin pas tij, ai ka thënë se ushtria është duke u përpjekur ta “rivendosë demokracinë dhe t’i lirojë të burgosurit politikë”.

Arce e ka urdhëruar t’i tërheqë ushtarët e tij, duke thënë se nuk do t’i lejonte mosbindjet. Më vonë, ai zyrtarisht e ka shkarkuar Zúñigan.

Juan José Zúñiga Macías, oficer ushtarak me një të kaluar të diskutueshme, është emëruar komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Boliviane nga presidenti Arce në nëntor 2022 dhe e ka ruajtur pozicionin e tij këtë janar, kur komandantët e tjerë janë zhvendosur nga Arce.

Por Zúñiga është përballur gjithashtu me akuza për keqpërdorim shumë kohë përpara përpjekjes së tij për grusht shtet.

Një raport zyrtar ushtarak në vitin 2013 ka thënë se Zúñiga, në atë kohë në krye të një regjimenti këmbësorie, i ka përvetësuar 2.7 milionë bolivianos (rreth 400,000 dollarë) nga fondet publike të destinuara për pensione, bonot e shkollave dhe shpenzimet e udhëtimit ushtarak. Ai dhe shtatë të tjerë të lidhur me skemën janë burgosur për shtatë ditë, sipas raportit, i cili gjithashtu ka pretenduar se Zúñiga ishte i përfshirë në trafikimin e drogës dhe se e kishte kërcënuar autorin e raportit, një nënoficer.

Presidenti i Bolivisë, Luis Arce Foto: AP

Pse e ka nisur Zúñiga grusht shtetin? 

Më herët këtë javë, Zúñiga nisi seri të sulmeve politike kundër ish-presidentit të vendit, Evo Morales – aleanca e të cilit me Arcen është prishur gjatë muajve të fundit, duke e lënë qeverinë e Bolivisë të paralizuar dhe partinë e tyre politike Movimiento al Socialismo (MAS), të ndarë në fraksione. Morales, i cili është larguar nga presidenca në vitin 2019, ka shpallur vendimin për ta sfiduar Arcen në vitin 2025, edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka diskualifikuar kandidimin e tij.

Në deklaratat e dhëna për mediat, Zuñiga ka thënë se Morales “nuk mund të jetë më presidenti i vendit” dhe se ai me qejf do ta arrestonte Moralesin nëse përpiqej, duke shtuar se nuk do ta lejojë Gjykatën “të nëpërkëmbet e të mos i bindet mandatit të popullit”.

Morales të martën ka bërë thirrje që komentet e Zuñigas të hidhen poshtë, duke thënë se “demokracia është në rrezik në rritje”. Duke iu përgjigjur polemikave që ka krijuar, Zúñiga i ka thënë gazetës boliviane el Deber se e konsideron veten ushtar të nderit “i cili është në gjendje të ofrojë jetën e tij për mbrojtjen dhe bashkimin e vendit tonë”. 

“Vendi ynë, përsëri, ka rënë nën kërcënimet e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm që kërkojnë ndarje, destabilizim dhe urrejtje mes bolivianëve, për t’i marrë në dorë burimet natyrore për dobinë e interesave të padobishme dhe grupeve në pushtet që i përgjigjen sistemit politiko-shoqëror”, ka thënë ai.

Ndërsa të mërkurën, sipas AP-së, Zúñiga u ka thënë gazetarëve, se njerëzit po vuajnë pasi elita e ka pasur kontrollin e shtetit për disa vite dhe se politikanët janë “duke e shkatërruar vendin”.

“Tre shefat e forcave të armatosura kanë ardhur për ta shprehur pakënaqësinë tonë”, ka thënë Zúñiga, teksa është futur në pallat, duke thënë se kabineti i ri i ministrave do të betohej “ta rivendosur demokracinë”.

Në fund, i vetmi njoftim i ri i bërë ka qenë për krerët e rinj të ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore, duke e përfshirë zëvendësimin e Zúñigas, José Wilson Sánchez, i cili i ka urdhëruar ushtarët në shesh të kthehen në barakat e tyre.

Çfarë do të ndodhë me Zúñigan? 

Kur u bë e dukshme se puçi i tij do të dështonte, Zúñiga ka pretenduar te reporterët para arrestimit të tij, se vetë Arce e ka urdhëruar bastisjen e Pallatit Presidencial, si përpjekje për të inskenuar një teatër politik mes tensioneve të tij me Moralesin.

“Presidenti më ka thënë mua: ‘Situata është shumë keq, shumë kritike. Është e nevojshme të nisim diçka që do të ma rriste popullaritetin’”, ka deklaruar ai duke shtuar se Arce i ka thënë t’i sillte tanket te pallati.

Pasi Zúñiga është arrestuar, Iván Lima, ministri i Drejtësisë së Bolivisë, ka shkruar në platformën X se Zúñiga “gënjen dhe kërkon ta justifikojë veten në një vendim që është i tiji”.

Lima gjithashtu ka thënë se prokurorët do të ndërmarrin veprime penale kundër Zuñigas – për përfshirje të supozuar në kryengritjen e armatosur kundër sigurisë dhe sovranitetit të shtetit, joshje të trupave për të nisur grusht shtet ose rebelim dhe sulm ndaj presidentit dhe personaliteteve të tjera shtetërore - dhe se do të kërkojnë dënimin maksimal prej 15 deri në 20 vjet burgim.

Përpjekja e dështuar e Zúñigas për kryengritje është dënuar nga ndërkombëtarët, sidomos në Amerikën Latine, si dhe nga liderët bolivianë të të gjithë spektrit, nga Arce dhe Morales deri te kundërshtari i tyre i djathtë ish-presidenti Jeanine Anez, i cili ka thënë se MAS-ja duhet të rrëzohet vetëm “përmes votës në vitin 2025”.

Ushtria e bllokon hyrjen në Plaza Murillo në La Paz, Bolivi Foto: AP

Çfarë fshihet pas tensioneve? 

Bolivianët kanë qenë duke vuajtur gjithnjë e më shumë nga zhvillimi i ngadalshëm ekonomik, inflacionit shpërthyes dhe mungesës së dollarëve – ndryshim i madh nga dekada e mëparshme që disa e kanë quajtur “mrekulli ekonomike”.

Ekonomia e vendit është rritur me mbi 4 për qind gati çdo vit në vitet 2010 derisa gjithçka është hedhur në humnerë kur ka ardhur pandemia e koronavirusit. Por telashet kanë filluar më herët, në vitin 2014, kur çmimet e mallrave janë rritur dhe qeveria është zhytur në rezervat valutore për t’i mbështetur shpenzimet. Pastaj ajo i ka tërhequr edhe rezervat e arit dhe madje edhe i ka shitur bonot me dollarë në vend.

Arce ka qenë ministri i Financave gjatë gati tërë dekadës së rritjes së fuqishme, nën ikonën e majtë, presidentin Evo Morales. Pas marrjes në dorë të presidencës në vitin 2020, ai është përballur me rënien e zymtë ekonomike për shkak të pandemisë. Zvogëlimi i prodhimit të gazit e ka vulosur fundin e modelit ekonomik të Bolivisë.

Sot, është në gjendje të keqe. Këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje prej vetëm 1.6 për qind. Përveç rënies së ekonomisë për shkak të pandemisë në vitin 2020, kjo do të ishte rritja më e ngadaltë e Bolivisë në 25 vjet.
Me këtë rënie ekonomike në sfond, presidenti Arce dhe ish-udhëheqësi Morales janë përplasur në një luftë politike që i ka paralizuar përpjekjet e qeverisë për t'u marrë me të. Për shembull, aleatët e Morales në Kongres i kanë penguar vazhdimisht përpjekjet e Arces për të marrë borxhe, në mënyrë që të lehtësohet një pjesë e presionit.

Sa e jashtëzakonshme është kryengritja? 

Bolivia ka pasur më shumë se 190 tentime për grusht shtet dhe revolucione që nga pavarësia në vitin 1825, në një cikël të përsëritur konflikti midis elitave politike në zonat urbane dhe të zhveshura nga sektorët ruralë.

Kjo as nuk është atentati i parë i grusht shtetit gjatë viteve të fundit. Në vitin 2019, Morales, atëherë presidenti i parë indigjen i Bolivisë, pati kandiduar për mandat tjetër antikushtetues. Ai fitoi zgjedhjet në mesin e akuzave për mashtrim, çka nxitën protesta masive, të cilat kanë shkaktuar 36 vdekje dhe e kanë shtyrë Moralesin të jepte dorëheqje dhe të largohej nga vendi.

Qeveria e përkohshme nga opozita e djathtë, e udhëhequr nga Jeanine Áñez, e pati marrë kontrollin, duke e shtyrë Lëvizjen për Socializmin e Morales, e njohur me akronimin spanjoll MAS, ta konsideronte marrjen e pushtetit si grusht shtet.

Arce, pasardhës i zgjedhur nga Morales, i fitoi zgjedhjet pasuese duke premtuar se do ta rikthente prosperitetin e Bolivisë, dikur burimi kryesor i gazit natyror në Amerikën Latine.

Çfarë fuqie politike e ka Arce? 

Morales, i cili akoma ka mbështetje të konsiderueshme nga kultivuesit e kakaos dhe sindikatat, me sa duket nuk ka qenë i gatshëm ta linte Arcen të kandidonte për rizgjedhje pa sfidë. Pasi është kthyer nga mërgimi, vitin e kaluar Morales ka zbuluar planet për të kandiduar në garën presidenciale të vitit 2025, duke e nisur betejën e ashpër për kontrollin e MAS-it të copëtuar.

Të dy kanë qenë duke kërkuar mbështetje për veten e vet – dhe për ta shtypur aleatin e dikurshëm. Kjo luftë politike i ka paralizuar përpjekjet e qeverisë për t’u marrë me problemet e thella ekonomike dhe analistët kanë qenë duke paralajmëruar se trazirat sociale mund të jenë afër.

“Arces i mungon karizma e Evos, aftësitë dhe trashëgimia politike. Por ai e kontrollon aparatin e shtetit”, ka thënë Benjamin Gedan, drejtor i Programit të Amerikës Latine të qendrës “Wilson” me bazë në Washington. “Normalisht, zgjedhjet e ardhshme do të shërbenin si valvulë presioni. Por me kandidaturën e Evos, opozitën e ndarë dhe ekonominë në rrëmujë, Bolivia është qartësisht në cep të trazirave”.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të dy udhëheqësit kanë denoncuar të mërkurën, atë që ata e kanë quajtur tentativë për grusht shtet. 

Liderët nga Kili, Paraguai, Brazili, Ekuadori dhe BE-ja kanë shprehur gjithashtu mbështetjen e tyre për Bolivinë.