Nëna e një 3-vjeçareje, e cila mbahej në një sirtar dhe s’e kishte parë dritën e diellit me sy e as një fytyrë tjetër njeriu, është dënuar me mbi shtatë vjet burgim në Angli.
Vajza u gjet në shkurt 2023 në gjendje të rëndë, e kequshqyer dhe e paaftë për të ecur apo folur, nga një partner i nënës së saj i cili kishte shkuar për ta përdorur banjon dhe kishte dëgjuar zhurmë, raportoi Guardian.
Ai e zbuloi vajzën e vogël e dehidratuar dhe thirri policinë.
“U trondita kur pash një fëmijë që më shikonte nga një sirtar. E pyeta nënën e saj, ‘a e mban këtu?’ dhe ajo u përgjigj: ‘Po, në sirtar’. U trondita që nëna nuk shfaqi asnjë emocion. Pyeta nëse dikush tjetër e kishte parë ndonjëherë këtë fëmijë dhe nëna deklaroi: ‘Jo’”, ka thënë një punonjëse sociale e cila ishte e para që shkoi në vendngjarje.
Vajza ishte lindur në vaskën e shtëpisë në mars 2020 dhe ishte mbajtur e fshehur dhe asnjëherë nuk ishte regjistruar. Nëna i ka thënë policisë se ishte në marrëdhënie abuzive me babanë e vajzës dhe nuk donte t’i tregonte për shtatzëninë. Ajo e vendosi foshnjën në sirtar dhe e ushqente herë pas here.
Ndërsa kaloi kohë, nëna shkoi në punë dhe i çoi fëmijët e tjerë në shkollë, po vajzën e la vetëm në sirtar për orë të tëra, përfshirë një natë komplet për Krishtlindje kur ajo me fëmijët tjerë shkoi te prindërit e saj.
Pas ekzaminimit të mjekëve ka rezultuar se zhvillimi i vajzës është vonuar aq shumë për shkak të neglizhencës ekstreme sa që ishte si një 10-muajshe.