Shi Zhengli, virologia kryesore kineze, ka thënë në një intervistë të rrallë mbi spekulimet rreth laboratorit të saj në Wuhan se janë krejtësisht të pabaza. Por shprehia e Kinës për t’i mbajtur gjërat fshehur i bën pretendimet e saja zor të besueshme
Për përherë e më shumë politikanë e shkencëtarë amerikanë, ajo është çelësi nëse bota do të mësojë ndonjëherë nëse virusi që fshihet prapa pandemisë shkatërrimtare të COVID-19 ka rrjedhur prej një laboratori kinez. Për Qeverinë dhe publikun kinez, ajo është heroina e suksesit të shtetit në frenimin e pandemisë dhe një viktimë e teorive qëllimkëqija të konspiracionit.
Shi Zhengli, virologia kryesore kineze, është përsëri në qendër të narratives përplasëse rreth kërkimit të saj me koronavirus në një laborator shtetëror në Wuhan, qytet ku pandemia ka shpërthyer fillimisht. Ideja se virusi mund të ketë buruar prej një laboratori është përjashtuar vazhdimisht nga shkencëtarët si i pamundshëm dhe është shmangur nga të tjerët shkaku i lidhjes me ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Mirëpo furia e fundit nga administrata e presidentit aktual, Joe Biden, dhe thirrjet për sinqeritet më të madh nga shkencëtarët e shquar kanë kthyer teorinë sërish në qendër të vëmendjes.
“New York Times” ka shkruar se shkencëtarët përgjithësisht pajtohen se nuk ekzistojnë ende dëshmi direkte për ta mbështetur teorinë e rrjedhjes nga laboratori. Por përherë e më shumë syresh tani pretendojnë se hipoteza është përjashtuar ngutshëm, pa ndonjë hulumtim të hollësishëm dhe aludojnë një mori pyetjesh që kanë ngelur pa përgjigje.
Historiku i Kinës me dyshime
Në anën tjetër të taborit është një grup qytetarësh që kërkon mbi raportet e cituara nga Inteligjenca amerikane, që sugjeronin se ka pasur raste të hershme infektimi me COVID-190 në mesin e disa punëtorëve të Institutit të Virologjisë në Wuhan.
Mjekia Shi i ka hedhur poshtë këto akuza dhe tani e gjen veten në pozitën e mbrojtjes së reputacionit të laboratorit të saj, ndërsa në aspektin më të gjerë edhe atë të vendit të saj. Duke folur nëpërmjet telefonit për gazetën NYT javën e shkuar, Shi ka thënë fillimisht se do të parapëlqente që të mos fliste drejtpërsëdrejti për gazetarët, duke i cituar politikat e Institutit të saj. Por vështirë se nuk mundej ta frenonte zemërimin.
“Si në djall mund të ofrojë dëshmi për diçka kur dëshmi nuk ka?”, ka thënë ajo, teksa zëri i ngrihej nga zemërimi gjatë bisedës së shkurtër e të paparacaktuar. “Nuk e di se si bota ia doli me këtë që vazhdimisht t’i hedhë pisllëqe një shkencëtari të pafajshëm”, ka shkruar ajo në një mesazh telefonik për gazetën.
Në një intervistë të rrallë me email, NYT ka denoncuar dyshimet si të pabaza, përfshirë pretendimet se disa prej kolegëve të saj ishin sëmurë para se shpërthimi të ndodhte. Spekulimet kanë vluar rreth një çështjeje kyç: A ka mbajtur laboratori i Shisë ndonjë burim të koronavirusit të ri para se pandemia të merrte hov? Përgjigjja e Shisë është një “jo” empatike.
Por refuzimi i Kinës për t’i lejuar hulumtimet e pavarura në laboratorin e saj, apo që të ndajë të dhëna mbi kërkimet e tij, i bëjnë pretendimet e Shisë zor të besueshme dhe veç sa kanë ushqyer dyshimet e thella se si pandemia mund të ketë zënë fill në të njëjtin qytet ku ndodhet një institut që punon me koronaviruse lakuriqësh, ka shkruar NYT.
Ata që e favorizojnë teorinë e origjinës nga natyra, megjithëkëtë, kanë aluduar në rolin e Wuhanit si një qendër madhore transportimi, por edhe në një studim të fundit që ka treguar se pak para pandemisë, tregjet e qytetit po shisnin specie të shumta kafshësh të afta që të mbartin patogjenë të rrezikshëm, të cilët mund të kërcejnë te njerëzit.
E Qeveria kineze nuk ka hequr dorë nga mbrojtja e Shisë. Me gjithë furinë ndërkombëtare, ajo ka vazhduar punën e saj kërkimore dhe ka ligjëruar në Kinë.
Ndërkaq shumë shkencëtarë kanë theksuar se duan që gjahu mbi origjinën e virusit të anashkalojë të arriturat politike, kufitare dhe individuale.
“Gjë që nuk ka të bëjë me gabimin apo fajin”, ka thënë Davdie Relman, një mikrobiolog në Universitetin e Stanfordit dhe bashkautor i punimit më të fundit në revistën shkencore “Science”, të nënshkruar nga 18 shkencëtarë që kanë bërë thirrje për një hulumtim transparent rreth të gjithë skenarëve të mundshëm, përfshirë rrjedhjen nga laboratori.
“Puna e thjeshtë është më e madhe se cilido shkencëtar apo institut ose cilido shtet – çdokush kudo qoftë që ka të dhëna për këtë punë duhet t’i nxjerrë”, ka theksuar Relman për New York Times.
“Transparenca ka rëndësi”

Shumë virologë janë të mendimit se koronavirusi sipas të gjitha gjasave ka kapërcyer prej një kafshe të njeriu në një pikë jashtë laboratorit. Por pa dëshmi të drejtpërdrejtë rreth rrjedhës së natyrshme, gjithnjë e më shumë shkencëtarë dhe politikanë kanë bërë thirrje për një hulumtim të plotë të teorisë së rrjedhjes.
Ithtarët e hulumtimit në laborator thonë se studiuesit në institutin e Shisë mund ta kenë mbledhur koronavirusin e ri nga bota e egër – lakuriqët në shpella. Apo shkencëtarët mund ta kenë krijuar atë, aksidentalisht ose me qëllim. Sido që të jetë, virusi mund të ketë rrjedhur më pas nga laboratori, mbase duke e infektuar një punëtor.
Kina, sipas NYT, është zotuar që të ndikojë në hetimet mbi origjinën e virusit, duke i promovuar pretendimet e saja të padëshmuara. Pekini është dakorduar që ta lejojë një ekip të ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vizitë në Kinë, por ka kufizuar qasjen e tyre.
“Kur ekipi ka përpiluar një raport në mars, që thoshte se rrjedhja nga laboratori ishte skajshmërisht e pamundur, konstatimi i tij ishte parë si i nxituar. Edhe shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë: ‘Nuk besoj se ky vlerësim ishte mjaftueshëm i gjerë”.
Për më tepër, presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar muajin e shkuar agjencitë e tij të Inteligjencës që ta hetojnë çështjen e origjinës, përfshirë teorinë e laboratorit.
Në kohëra më pak të polarizuara, Shi ishte një simbol i përparimit shkencor të Kinës, ishte “Gruaja lakuriq” në krye të kërkimeve për viruset në shfaqje. “New York Times” ka shkruar se ajo u ka prirë ekspeditave nëpër shpella për të mbledhur mostra nga lakuriqët dhe në plehra zogjsh për të mësuar se si viruset barten nga kafshët te njerëzit.
Më 2019, ajo ishte mes 109 shkencëtarëve të zgjedhur në Akademinë amerikane të Mikrobiologjisë për kontributet e saja në fushë.
“Ajo është një shkencëtare yjore – jashtëzakonisht e kujdesshme, me një etikë rigoroze pune”, ka thënë Robert C. Gallo, drejtor i Institutit të Virologjisë Njerëzore në Universitetin e shkollës së mjekësisë në Maryland.
Instituti i Wuhanit punëson afro 300 persona dhe është shtëpi e një prej dy laboratorëve kineze që kanë marrë vlerësimin më të lartë të sigurisë, Biosafety Level 4.
Ani pse Instituti financohet nga Partia Komuniste e presidentit Xi Jinping, vetë Shi nuk ka qenë pjesë e partisë.
57-vjeçarja ka doktoratë nga Universiteti i Montpellierit në Francë. Pas kësaj ka studiuar lakuriqët më 2004, pas shpërthimit të SARS-it, që la më shumë se 700 persona përreth botës.
“Nuk kam gjë për të fshehur”
Pandemia ishte një moment për të cilin Shi dhe ekipi i saj ishin stërvitur prej kohësh. Për vite me radhë, ajo kishte paralajmëruar për rreziqet e shpërthimit të koronavirusit, duke qenë se ishte më se e informuar për patogjenë të tillë.
Janarin e vitit të shkuar, Shi dhe ekipi i saj punonin si të çmendur, ishin të stërlodhur, por të ngazëllyer, ka thënë Wang Linga, një virolog në shkollën e mjekësisë të Universitetit të Singaporit, i cili ishte në Wuhan bashkë me Shinë gjatë asaj kohe.
“Të gjitha përvojat, reagensit dhe mostrat e lakuriqëve në frigorifer ishin përdorur përfundimisht në një mënyrë domethënëse, globalisht”, ka thënë Wang, bashkëpunëtor dhe mik i Shisë për 17 vjet, duke folur për NYT.
Shi ka publikuar disa prej të dhënave më të rëndësishme të hershme për SARS-CoV-2 dhe COVID-19, në të cilat janë bazuar shkencëtarët përreth botës. Por shumë shpejt, spekulimet rreth Shisë dhe laboratorit të saj kanë filluar që të burojnë. Shi ishte e hutuar dhe e zemëruar, nganjëherë edhe e braktisur.
Në një intervistë për revistën “Science” korrikun e shkuar, ajo ka thënë se Trumpi ia ka borxh një kërkimfalje për pretendimin se virusi ka dalë nga laboratori i saj. Në media sociale, ajo ka thënë se personat që kanë ngritur pikëpyetje duhet “t’i mbyllin gojët e tyre kundërmuese”.
Për NYT, Shi ka thënë se ajo që e sheh si politizim ia ka humbur entuziazmin për të hetuar origjinën e virusit. Në vend të kësaj, është përqendruar në vaksinat kundër COVID-19 dhe tiparet e virusit të ri, ndërkaq me kalimin e kohës ajo ka thënë se është qetësuar.
“Jam e sigurt se nuk kam bërë gjë të keqe”, ka shkruar ajo. “Andaj nuk kam çfarë të frikësohem”.
Përgatiti: Nita Lleshi