Botë

Gruaja e zakonshme që tronditi Francën

Gisèle Pelicot (Foto: AP)

Gisèle Pelicot

Foto: Associated Press

Gisèle Pelicot nuk ia kishte idenë se burri i saj prej 50 vjetësh e kishte droguar dhe kishte ftuar dhjetëra burra për ta përdhunuar. Teksa një nga gjyqet më të tmerrshme që Franca ka parë ndonjëherë po përfundon, pyetja mbetet: Si mund të ndodhte kjo? E rasti i Pelicotit duket se po ndihmon në formimin e qëndrimeve ndaj përdhunimit në të gjithë Francën

Kujdes: Ky artikull përmban përshkrime të abuzimit seksual

(BBC) - Çdo mëngjes kanë filluar të formohen radhë para agimit. Grupe të grave – gjithmonë të grave – kanë qëndruar jashtë në të ftohtin e vjeshtës, në një trotuar afër një rruge të ngarkuar, jashtë gjykatës me xhama dhe beton të Avignonit.

Ato kanë ardhur ditë pas dite. Disa kanë sjellë edhe lule. Të gjitha kanë dashur të ishin atje për ta duartrokitur Gisèle Pelicotin teksa ecte, me qëllim, drejt shkallëve dhe pastaj përmes derës së xhamit. Disa prej tyre kanë guxuar t’i afrohen.

Disa kanë bërtitur: “Ne jemi me ty, Gisèle”, dhe “Ji e guximshme”.

Shumica prej tyre kanë qëndruar aty, duke shpresuar të sigurojnë karrige në dhomën publike e të stërmbushur të gjyqit, ku mund t’i shikonin procedurat në një ekran të televizorit. Ato ishin atje për ta parë kurajën e një gjysheje, teksa rrinte e ulur qetë në gjyq, e rrethuar nga dhjetëra përdhunues të saj.
“E shoh veten në të”, ka thënë Isabelle Munier, 54-vjeçare. “Një nga burrat në gjyq ka qenë dikur mik i imi. Është e shpifur”.

“Ajo është bërë figurë e shquar e feminizmit”, ka thënë Sadjia Djimli, 20-vjeçare.

Por, ato kanë ardhur edhe për arsye të tjera gjithashtu.

Mbi të gjitha, siç dukej, ato po kërkonin për përgjigje. Teksa Franca përpunon implikimet e një prej gjyqeve më të mëdha të përdhunimit, i cili do të përfundojë në fund të javës, është e qartë se shumë gra franceze – dhe jo vetëm ato që ndodhen në gjykatën në Avignon – po shtrojnë dy pyetje thelbësore. 

Pyetja e parë është e thellë. Çfarë do të thotë kjo për burrat francezë – disa do të thoshin për të gjithë burrat – që 50 prej tyre, në një lagje të vogël e rurale, siç duket ishin të gatshëm ta pranonin një ftesë të rastësishme për të kryer marrëdhënie seksuale me një grua të panjohur, teksa ajo rri e shtrirë pavetëdije në një dhomë të huaj:
Dhe pyetja e dytë vjen nga e para: Sa larg do të shkojë ky gjyq për të ndihmuar në ndalimin e epidemisë së dhunës seksuale dhe përdhunimit të ndihmuar nga droga, si dhe në sfidimin e paragjykimeve dhe injorancës së thellë për turpin dhe miratimin e aktit?
Por vënë thjeshtë, a do të ndryshojë ndonjë gjë qëndrimi i guximshëm dhe vendosmëria e Gisèle Pelicotit – siç e ka thënë ajo, për ta bërë “zhvendosjen e turpit” nga viktima te përdhunuesi.

Pas maskave të të akuzuarve

Një gjyq i gjatë krijon mikroklimën e vet dhe, gjatë javëve të fundit, një lloj normaliteti i çuditshëm është zhvilluar brenda Palais de Justice të Avignonit. Mes kamerave televizive dhe grumbullimeve të avokatëve, pamjet e dhjetëra përdhunuesve të dyshuar – fytyra jo gjithmonë të fshehura pas maskave – nuk kanë krijuar më tronditjen që ka pasur në fillim.

Të akuzuarit shëtisnin përreth, duke biseduar, duke bërë shaka, duke marrë kafe nga aparati ose duke u rikthyer nga një kafene matanë rrugës dhe, në këtë proces, disi theksohet argumenti thelbësor i strategjive të ndryshme mbrojtëse: se këta ishin thjesht djem të rregullt, pjesë e shoqërisë franceze, të cilët po kërkonin një aventurë “luhatëse” në internet dhe që u kapën nga diçka e papritur.
“Ky argument është gjëja më tronditëse e kësaj çështjeje. Është e tmerrshme ta mendosh”, thotë Elsa Labouret, që punon për grupin francez aktivist, “Dare to be Feminist”. “Mendoj që shumica e njerëzve që janë në lidhje të gjatë me burra, e mendojnë partnerin e tyre si të besueshëm. Por tani ka një ndjenjë identifikimi me Pelicotin për shumë gra. Si, ‘në rregull, kjo mund të më ndodh mua’”.

“Këta nuk janë organizatorë kriminalë”, vazhdon ajo. “Ata vetëm kanë hyrë në internet... Prandaj është e mundshme që gjëra të ngjashme po ndodhin gjithandej”. 

Është pikëpamje e njohur, por gjithashtu e kontestuar gjerësisht në Francë.

Instituti Publik i Politikave të Francës në vitin 2024 ka lëshuar të dhëna që tregojnë se mesatarisht 86 për qind e ankesave për abuzim seksual dhe 94 për qind e rasteve ose nuk janë ndjekur penalisht, ose nuk kanë dalë në gjyq, në periudhën mes viteve 2012-2021.

Labouret argumenton se dhuna seksuale ndodh kur një grup i caktuar i burrave e dinë se “mund të mos akuzohen. Dhe mendoj se kjo është arsyeja kryesore se pse është kaq e shfrenuar në Francë”.

Demonstrata për të drejtat e grave, Francë (Foto: AP)

“As përbindësha e as burra të zakonshëm”

Gjatë gjyqin katërmujor, në fund të secilit pushim të dhomës së gjykatës, të akuzuarit do të mblidheshin afër detektuesit të metalit, para se ta kalonin murin e shtypit të përbërë kryesisht nga gratë, gjithashtu që presin të futen në sallë. Brenda, një nga një, burrat kanë pritur radhën për t’i dhënë deklaratat e tyre.

Psikiatrja e caktuar nga gjyqi, Laurent Layet, ka dëshmuar se të akuzuarit nuk ishin as “përbindësha” e as “burra të zakonshëm”. Disa kanë qarë. Disa e kanë pranuar. Por shumica kanë ofruar një sërë justifikimesh, ku shumë prej tyre kanë thënë se ata ishin thjesht “libertinë” - një person, veçanërisht burrë, që sillet pa parime morale ose pa ndjenjë përgjegjësi, veçanërisht sa iu përket çështjeve seksuale – pra që kënaqin fantazitë e një çifti dhe se ata nuk kishin si ta dinin që zonja Pelicot nuk e kishte miratuar paraprakisht. Të tjerët kanë pretenduar se burri, Dominique Pelicot, i kishte frikësuar.
Ka shumë pak modele të qarta ose karakteristika të përbashkëta midis 51 burrave në gjyq. Ata përfaqësojnë një spektër të gjerë në shoqëri: tri të katërtat kanë fëmijë. Gjysma janë të martuar ose në lidhje. Pak më shumë se një e katërta e tyre kanë thënë se ishin abuzuar ose përdhunuar si fëmijë.
Nuk ka grupim të dallueshëm sipas moshës, punës apo klasës shoqërore. Dy tiparet që ata të gjithë ndajnë janë se janë meshkuj dhe se kontaktuan në një forum të paligjshëm në internet të quajtur “Coco”, i njohur për tërheqjen e pedofilëve dhe tregtarëve të drogës. Sipas prokurorëve francezë, faqja, e cila u mbyll në fillim të këtij viti, është cituar në më shumë se 23 mijë raporte për aktivitet kriminal.

BBC-ja ka gjetur se 23 prej të akuzuarve kanë pasur dënime penale paraprakisht. Edhe pse autoritetet nuk mbledhin të dhëna precize, sipas disa vlerësimeve është afërsisht katërfishi i mesatares kombëtare në Francë.

“Nuk ka profil tipik për burrat që kryejnë dhunë seksuale”, ka thënë Labouret.
Një person që ka ndjekur rastin më së shumti është Juliette Campion, gazetare franceze e cila ka qenë në gjykatë gjatë gjyqit për të raportuar për transmetuesin “France Info”. 
“Mendoj se ky rast mund të kishte ndodhur edhe në vende të tjera. Por mendoj se thotë shumë për mënyrën se si burrat i shohin gratë në Francë... Sa i përket nocionit të miratimit të aktit”, thotë ajo. “Shumë burra nuk e dinë se çka është në të vërtetë miratimi, prandaj rasti tregon shumë për vendin tonë, fatkeqësisht”.

“Çështje e zotit Everyman”

Rasti “Pelicoti” sigurisht që po ndihmon në formimin e qëndrimeve ndaj përdhunimit në të gjithë Francën.

Më 21 shtator, një grup burrash të shquar francezë, duke përfshirë aktorë, këngëtarë, muzikantë dhe gazetarë, kanë shkruar një letër publike që është botuar në gazetën “Liberation”, duke argumentuar se rasti “Pelicot” vërtetonte se dhuna e meshkujve “nuk është çështje përbindëshash”.
“Është çështje e burrave, e zotit Everyman (të gjithë burrave)”, është shkruar në letër. “Të gjithë burrat, pa përjashtim, përfitojnë nga një sistem që dominon gratë”.

Letra ka skicuar gjithashtu një “hartë rrugore” për burrat që kërkojnë ta sfidojnë patriarkatin, me këshilla të tilla si “le të ndalojmë së menduari se ekziston natyra mashkullore që e justifikon sjelljen tonë”.

Disa ekspertë besojnë se interesi i madh publik në rastin “Pelicot” veç mund të jetë duke krijuar përfitime. 

“I tërë rasti është aq i dobishëm për të gjithë, për të gjitha gjeneratat, për djemtë e rinj, vajzat e reja, për të rriturit”, thotë Karen Noblinski, avokate me bazë në Paris e që specializon në raste të sulmeve seksuale. “Ka rritur ndërgjegjësimin te të rinjtë. Përdhunimi nuk ndodh gjithmonë në lokal ose në klub. Mund të ndodhë në shtëpinë tonë”.

Hashtagu “NotAllMen”

Por është e qartë se ka shumë më tepër punë për t’u bërë. Gazetari i BBC-së ka shkuar të takohet me Louis Bonnet, kryetar i fshatit të lindjes së Pelicotit, Mazan, në fillim të gjyqit. Edhe pse ai ishte pa mëdyshje në dënimin e përdhunimeve të supozuara, ka deklaruar qartë dy herë se ndiente se përvoja e Gisèle Pelicotit ishte e tepruar dhe ka argumentuar se meqë ajo ka qenë pa ndjenja, ajo ka vuajtur më pak sesa viktimat e tjera të përdhunimit.

“Po, jam duke e minimizuar, sepse mendoj se mund të ketë qenë më keq”, ka thënë ai. “Kur ka fëmijë të përfshirë, ose gra të vrara, atëherë kjo është shumë serioze, sepse nuk mund të kthehen. Në këtë rast familja do të duhet të rindërtohet. Do të jetë e vështirë, por askush nuk vdiq. Pra, ata mund ende ta bëjnë atë”.

Komentet e Bonnetit kanë provokuar zemërim në të gjithë Francën. Kryetari i Bashkisë më vonë ka lëshuar një deklaratë, duke kërkuar “falje të sinqertë”.

Online, shumë nga debatet rreth rastit janë fokusuar në sugjerimin e diskutueshëm se “të gjithë” burrat janë të aftë të përdhunojnë. Nuk ka prova për ta mbështetur një supozim të tillë. Disa nga burrat i janë përgjigjur argumentit, duke e përdorur hashtagun “NotAllMen” (jo të gjithë burrat).
“Nuk kërkojmë nga gratë e tjera ta mbajnë ‘turpin’ e grave që sillen keq, pra pse fakti i të qenit burrë duhet të na kualifikojë për ta mbajtur turpin?”, ka pyetur një burrë në rrjetet sociale. 

Por kundërpërgjigjja ishte e shpejtë. Gratë kanë reaguar ndaj hashtagut “NotAllMen” me zemërim dhe, ndonjëherë, me detaje të abuzimit të tyre.

“Hashtagu është krijuar nga burrat dhe përdoret prej tyre. Është mënyrë për ta heshtur vuajtjen e grave”, ka shkruar gazetarja Manon Mariani. Më vonë një muzikant dhe influencues mashkull, Waxx, ka shtuar kritikën e tij, duke u thënë përdoruesve të hashtagut “ta mbyllin gojën njëherë e mirë. Nuk është për ty, është për ne. Burrat vrasin. Burrat sulmojnë. Pikë”.

Elsa Labouret beson se sjelljet franceze akoma kanë nevojë të sfidohen.

“Mendoj se shumë njerëz akoma mendojnë se dhuna seksuale është joshëse dhe romantike, ose diçka që është pjesë e mënyrës se si i bëjmë gjërat këtu”, argumenton ajo. “Dhe është e rëndësishme që ta vëmë në dyshim këtë dhe se duhet të mos e pranojmë këtë lloj argumenti fare”.

Caroline Pelicot (Foto: BBC)

“Nënshtrimi dhe prova kimike”

Në zyrën e saj të vogël pas ndërtesës së Parlamentit francez në lumin Siena, Sandrine Josso, deputete, ka një letër betimi me katër shkronja në një poster pranë tavolinës së saj. Ajo kap shpirtin e sfidës dhe vendosmërisë që po e drejton fushatën e saj kundër asaj që në Francë njihet si “nënshtrim kimik”, ose drogë me qëllim përdhunimin.

Një vit më parë, në nëntor 2023, ajo ishte në një festë në apartamentin e senatorit Joel Guerriau në Paris. Ajo pretendon se ai i ka vendosur një drogë në shampanjë me qëllim që ta përdhunojë. Guerriau ka mohuar këto pretendime, duke e cilësuar “gabim në trajtimin” e çështjes dhe duke iu thënë hetuesve se gota ishte kontaminuar një ditë më parë.

Në një deklaratë, avokati i tij ka thënë: “Jemi kilometra larg interpretimit të turpshëm që mund të nxirret nga leximi i raporteve fillestare të shtypit”. Gjyqi pritet të mbahet vitin tjetër.
Josso tani po bën fushatë, siç thotë ajo, për ta “lehtësuar rrugëtimin e viktimave” kur bëhet fjalë për sistemin ligjor francez.

“Sot është fatkeqësi. Sepse shumë pak viktima që bëjnë ankesa mund të gjykohen, për shkak të mungesës së provave. S’ka mbështetje të mjaftueshme mjekësore, psikologjike apo ligjore. Ne gjejmë mangësi kudo kur bëhet fjalë për dhunën seksuale”.

Josso tani ka bashkuar forcat me vajzën e Gisèle Pelicotit, Carolinen, për të krijuar një komplet të testimit të drogës që mund të vihet në dispozicion në farmacitë e Francës. Tani ajo ka mbështetjen e qeverisë për gjyqin, të ndihmuar nga publiciteti i krijuar nga rasti “Pelicoti”.

“Jam optimiste. Bota mjekësore dhe populli francez duan që turpi të ndryshojë anë (nga viktima në të akuzuarin)”, thotë Josso, duke e cituar frazën e famshme të Gisèle Pelicotit.
Por mjekja Leila Chaouachi, kimiste dhe eksperte në Qendrën e Monitorimit të Varësisë në Paris, thotë se gjyqi në Avignon është një hap drejt luftës së gjatë për t’i ndërgjegjësuar njerëzit rreth drogave dhe përdhunimit.

“Kjo duhet të bëhet çështje e madhe reale e shëndetit publik, të cilën të gjithë e marrin seriozisht dhe që i detyron autoritetet t’i adresojnë urgjentisht këto çështje për ta përmirësuar kujdesin për viktimat”, thotë Chaouachi. “Është e rëndësishme që të gjithë të mendojmë për këtë çështje, ta konsiderojmë atë çështje shëndetësore, jo vetëm çështje drejtësie. Ajo na shqetëson të gjithëve”.

Aktualisht fjala “miratim” nuk është e përfshirë në përkufizimin e përdhunimit në ligjet franceze, kështu që disa kanë argumentuar se duhet ndryshuar për ta bërë atë më të qartë. Por Noblinski beson se fokusi duhet të jetë diku tjetër.

“Duhet të jetë te policia, te hetimet dhe financimi, jo te ngatërresat me ligjin”, thotë ajo. “Ata nuk kanë burime të mjaftueshme. Kanë shumë raste dhe kjo është çështja e vërtetë. Kur ke shumë gjëra për të trajtuar, është shumë e vështirë të gjesh prova”.

Gjatë udhëtimit të saj të përditshëm për në gjykatë, gjatë javëve të para të gjyqit, Gisèle Pelicot ka ecur me shpatullat të përkulura dhe me qëndrimin si në mbrojtje. Ajo është dukur e tronditur nga niveli i madh i interesit që ka shkaktuar rasti. Megjithatë, gjatë fjalëve përfundimtare, sjellja e saj ishte krejtësisht e ndryshme dhe ajo ka qëndruar ulur plotësisht drejt.

Kjo ka përkuar me një ndryshim më të madh: ndërsa gjyqi përparonte, prokuroria, ata që shikonin - dhe vetë zonja Pelicot – kanë arritur ta kuptojnë ndikimin e jashtëzakonshëm të vendimit të saj për të zgjedhur jo vetëm gjyqin e hapur, por që çdo detaj duhet të tregohet në gjykatë.

“Ajo po na tregon neve... se nëse je viktimë bëj më të mirën për të mos e mbajtur turpin. Mbaje kokën lart”, thotë Elsa Labouret. “Si grua, filloni duke qenë të dyshuara. Filloni si gënjeshtare dhe duhet ta provoni se është e vërtetë. Nuk dyshoj se çdo grua ka kaluar diçka. Në këtë mënyrë ajo përfaqëson të gjitha gratë në botë”. 

“Pelicoti vendosi ta bënte këtë më të madhe se vetja. Ta bëjë këtë për mënyrën se si ne, si shoqëri, e trajtojmë dhunën seksuale”, shton ajo.

Duke dalë nga një ditë tjetër në sallën e gjyqit, gazetarja franceze, Juliette Campion, është ndalur për të reflektuar se çfarë ndikimi mund të kishte çështja. “Ishte e vështirë të shihja të gjitha ato video... Si femër, është e ndërlikuar dhe ndihem e lodhur”, thotë ajo.

“Por të paktën e bëmë punën tonë dhe folëm për të. Është hap shumë i vogël. Nuk do të jetë gjë e madhe. E vetmja gjë që mund të shpresoj tani është se do ta ndryshoj lojën për disa burra. Dhe disa gra gjithashtu, ndoshta”, shton Campion.