Greqia ka shkatërruar një grup kriminal që ka trafikuar gra kolumbiane në Greqi dhe i ka detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale në apartamente dhe klube striptizi, ka thënë policia.
Policia ka arrestuar këtë javë liderin e supozuar dhe tetë anëtarë të rrjetit të trafikimit njerëzor, i cili ka qenë duke operuar që nga viti 2019, thuhet në deklaratën e policisë.
Në total, 29 grave u është ofruar mbrojtje dhe mbështetje, ka thënë policia, duke shtuar se operacioni është ndihmuar nga organizatat joqeveritare.
Grave u janë premtuar punë si kërcimtare në klubet e striptizit në Greqi, ku u premtoheshin të ardhura të larta, raporton Reuters.
Në vend të kësaj, dokumentet e tyre të identifikimit ishin konfiskuar pas ardhjes . Ato janë mbajtur në apartamente në Athinë dhe kanë punuar në dy klube të natës, në pronësi të liderit të dyshuar të rrjetit, ku janë detyruar të kryejnë marrëdhënie me klientët për ta paguar borxhin, ka thënë policia.
Policia nisi hetimet në bazë të dëshmisë së një prej viktimave. Ata bastisën banesat, shtëpitë e të dyshuarve dhe klubet e striptizit dhe konfiskuan para, thika, plumba dhe dokumente që lidhen me aktivitetet e grupit.
Dy burra të tjerë, duke përfshirë një që jeton në Kolumbi, janë identifikuar si anëtarë të rrjetit të krimit dhe mbeten në arrati, tha policia.