Greqia formalisht ka aprovuar një ofertë për të blerë 20 aeroplanë luftarakë F-35 nga SHBA-ja si pjesë e një investimi të madh në mbrojtje, kanë thënë zyrtarët qeveritarë të enjten, raporton agjencia “AP”.
“Letra e pranimit të aeroplanëve F-35 është nënshkruar dhe dërguar te SHBA-ja”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ndërsa po e vizitonte bazën ajrore në afërsi të Athinës.
Blerja, tha ai, “do të krijonte prani të fuqishme parandaluese në rajonin tonë”.
Dorëzimi i avionëve të gjeneratës së pestë të prodhuar nga Lockheed Martin, pritet të nisë në vitin 2028, ndërsa Greqia e ka opsionin për të blerë 20 avionë shtesë F-35 si pjesë e një marrëveshjeje prej 8.6 miliardë dollarëve.
Blerja e 20 aeroplanëve të parë së bashku me përkrahjen shtesë do të kushtojë 3.5 miliardë dollarë, kanë thënë autoritetet greke.
Greqia po bën investime në ushtrinë e saj në një program dhjetëvjeçar, pas një krize të zgjatur financiare dhe tensioneve të vazhdueshme me fqinjin dhe aleatin e saj në NATO, Turqinë, kryesisht për shkak të kufirit detar.
Turqia është larguar nga programi F-35 pesë vjet më parë, pas vendimit për të blerë sistemin S-400 të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia, lëvizje që u kritikua nga SHBA-ja.
Në Athinë, zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Pavlos Marinakis, e ka përshkruar fushatën aktuale të modernizimit të ushtrisë si më të madhen në “shumë dekada”.
“Ne do të vazhdojmë ta zbatojmë këtë program të madh, duke pajisur shtetin tonë dhe duke forcuar mbrojtjen”, ka thënë Marinakis.