Botë

Greqia do të ndërtojë një port shpëtimi në Santorini

Santorini

Foto: Associated Press

Greqia së shpejti do të ndërtojë një port evakuimi në ishullin e Santorinit për të lehtësuar arratisjen e sigurt të njerëzve, në rast se një tërmet më i madh godet destinacionin popullor turistik, ka bërë të ditur ministri grek i Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias të hënën.

Santorini, një ishull vullkanik në detin Egje, është tronditur nga dhjetëra mijëra tërmete të buta që nga fundi i janarit, duke detyruar mijëra njerëz të largohen, dhe autoritetet të ndalojnë aktivitetin e ndërtimit dhe të mbyllin shkollat dhe ishujt përreth, raporton Reuters.

Nuk janë raportuar dëme të mëdha, por shkencëtarët kanë thënë se aktiviteti sizmik ishte i paprecedentë edhe në një vend të prirur ndaj tërmeteve si Greqia dhe nuk kanë përjashtuar lëkundjet më të mëdha.

Ministri Kikilias ka deklaruar se Greqia do të ndërtojë një port evakuimi për ankorimin e sigurt të trageteve të pasagjerëve derisa të krijohet një infrastrukturë e re portuale.

“Së bashku me portin e ri në Santorini që po përgatitet, ka pasur një vendim për ngritjen e një porti arratisjeje në pjesën e ishullit ku tragetet e pasagjerëve do të mund të ankorohen në rast emergjence”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin grek ANT1.

Edhe pse lëkundjet u pakësuan gjatë fundjavës, autoritetet lokale zgjatën masat e emergjencës për të tretën javë të dielën dhe përsëritën thirrjet që njerëzit të qëndrojnë larg zonave bregdetare dhe kodrave të pjerrëta të prirura për rrëshqitje dheu.

Santorini mori formën e tij aktuale pas një prej shpërthimeve më të mëdha vullkanike në histori, rreth vitit 1600 para Krishtit.

Sizmologët kanë thënë se aktiviteti i fundit sizmik, rezultat i lëvizjes së pllakave tektonike dhe magmës, ka shtyrë shtresat nëntokësore të ishullit lart.

LEXO EDHE: