Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së (IAEA) ka paralajmëruar vazhdimisht kundër sulmeve të tilla. Kreu i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se sulmi i së dielës me dron ishte “i pamatur”.
(BBC) - Një sulm i ri me dron në centralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia, ka rritur rrezikun e një “aksidenti të madh bërthamor”, ka paralajmëruar mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.
Rusia tha se Ukraina qëndron pas sulmit nga i cili thuhet se janë plagosur tre persona. Ukraina ka mohuar përfshirjen.
Centrali gjigand bërthamor i mbajtur nga Rusia, me gjashtë reaktorë, është në vijën e parë të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së (IAEA) ka paralajmëruar vazhdimisht kundër sulmeve të tilla.
Kreu i IAEA, Rafael Grossi, tha se sulmi i së dielës me dron ishte “i pamatur”.
Centrali në Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore, është më i madhi në Evropë. Forcat ruse e morën atë pak pasi filluan pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Centrali ndaloi gjenerimin e energjisë në vitin 2022, por ka nevojë për një furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike për të ftohur një nga reaktorët e tij, i cili ende e ruan nxehtësinë, që do të thotë se nuk është plotësisht jashtë linje.
Administrata e instaluar nga Rusia e uzinës tha se nivelet e rrezatimit ishin normale dhe se nuk kishte dëme serioze.
IAEA tha se dëmi nuk kishte komprometuar sigurinë bërthamore, por paralajmëroi se “ky është një incident serioz me potencial për të dëmtuar [integritetin] e sistemit të kontrollit të reaktorit”.
Të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se sulmet ishin një “provokim shumë i rrezikshëm”.
Zëdhënësi i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës së Ukrainës, Andriy Yusov, i tha uebsajtit të lajmeve “Ukrainska Pravda” se Ukraina nuk ishte e përfshirë në sulmin.
Ai shtoi se centrali bërthamor është pushtuar ilegalisht nga Rusia.
Yusov akuzoi Rusinë se po rrezikon objektin bërthamor, popullsinë civile dhe mjedisin duke kryer sulme në vetë centralin.
Muajin e kaluar IAEA tha se ekipi i saj i ekspertëve në uzinë kishte dëgjuar shpërthime çdo ditë për një javë.
Në atë kohë Grossi tha: “Për më shumë se dy vjet tani, siguria bërthamore në Ukrainë ka qenë në rrezik të vazhdueshëm. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar në minimizimin e rrezikut të një aksidenti bërthamor që mund të dëmtojë njerëzit dhe mjedisin, jo vetëm në Ukrainë”.
Rajoni i Zaporizhzhias u sulmua herët në mëngjes të hënën. Guvernatori Ivan Federov ka treguar se tre persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën pasi forcat ruse goditën tetë zona të populluara mbi 350 herë brenda 24 orëve.
Javën e kaluar një sulm rus në qytetin e Zaporizhzhias vrau katër persona dhe plagosi më shumë se 20.