Në vitin 2015, 66-vjeçarja Li Dongju, udhëtoi nëpër 20 qytete kineze. Ndonëse këtë aventurë e filloi vonë, ajo ka arritur të udhëtojë e vetme me biçikletë nëpër 12 vende në tri kontinente të botës. Tani Li është gati për një udhëtim të planifikuar, nga Kazakistani në Emiratet e Bashkuara Arabe
Në fund të 50-tave dhe në fillim të 60-tave të saj, Li Dongju gjeti veten duke udhëtuar e vetme përkrah njerëzve që kishin një të tretën e moshës së saj. Por, pavarësisht se e filloi vonë, ajo ka arritur të udhëtojë e vetme me biçikletë nëpër 12 vende në tri kontinente.
Gjyshja 66-vjeçare nga Zhengzhou e Kinës, ka udhëtuar me biçikletë rreth Azisë Juglindore, Evropës dhe Oqeanisë, duke vizituar vende si Kamboxhia, Franca dhe Australia.
Meqë flet vetëm gjuhën mandarin, ajo mbështetej tërësisht në aplikacionet e përkthimit për të komunikuar me banorët e vendeve që vizitonte. Për shkak të buxhetit të ulët, ajo kalonte natën në parqe, pika karburanti dhe madje edhe varreza, megjithëse thotë se shumë vendas të sjellshëm e mirëpritën në shtëpitë e tyre.
Aventura e Li u ndërpre nga pandemia Covid-19 në fillim të vitit 2022. Por ajo thotë se eksperiencat që ka fituar përmes çiklizmit ia kanë “ndryshuar jetën”. Li beson se udhëtimi e shëroi nga depresioni dhjetëvjeçar nga i cili vuante si pasojë e divorcit të saj në vitin 2005.
“Përpara çiklizmit, isha shumë e varur nga të tjerët … dhe ndihesha si një bretkosë në një pus”, tha ajo. “Tani, unë jam si një ujk i egër, e lirë, e patrembur dhe e pavarur”.
“Ujku i egër”
Li u interesua fillimisht për çiklizëm në vitin 2013, kur një grup çiklistësh tejet të përgatitur kaluan pranë saj. Atmosfera optimiste e grupit shkaktoi “një ndjenjë dëshire” te Li, e cila thotë se ishte shumë e dëshpëruar në atë kohë.
Li ia ka dalë të jetojë me pensionin e saj, që aktualisht kap vlerën e 414 dollarëve në muaj, që kur u pushua nga puna nga një fabrikë tekstili në pronësi të shtetit në vitin 2002.
Pa para të mjaftueshme, Li fillimisht i bleu vetes vetëm një helmetë biçiklete, por më vonë djali i saj i dhuroi asaj një biçikletë malore të palosshme, e cila kushton rreth 138 dollarë.
Ajo ëndërronte që të shkonte me biçikletë në “çatinë e botës”, Tibet, por e pa të pamundur, pasi Li thotë se kishte vetëm 23.50 dollarë.

Për një vit me radhë ajo punoi si mirëmbajtëse, dhe më në fund arriti të kursente mjaftueshëm për t’u bashkuar në një aventurë në Azinë Juglindore me dy çiklistë me përvojë që njohu në internet.
Megjithatë, fillestarja, e pajisur keq, me vetëm një telefon celular dhe biçikletë malore të nivelit fillestar, humbi shoqëruesit e saj të udhëtimit pas një jave në Vietnam, dhe e gjeti veten vetëm në një tokë të çuditshme.
Për fat, ajo takoi një çiklist vendas që fliste kinezisht, i cili e ndihmoi të kthehej në shtëpi.
Pavarësisht udhëtimit të saj kaotik në Vietnam, Li nuk u dorëzua dhe vendosi të kalonte kohë duke udhëtuar me biçikletë nëpër Kinë, në mënyrë që të përforconte aftësitë e saj të çiklizmit.
Në vitin 2015, ajo udhëtoi nëpër 20 qytete kineze, nga Hainani juglindor deri në Xinjiang-un e largët perëndimor. Xili, qeni i saj ngjyrë kafe i racës poodle, ishte shoqëruesi i saj i vetëm i udhëtimit, i cili rrinte i strukur në koshin e biçikletës së saj. Fatkeqësisht, Xili ngordhi në vitin 2023, në moshën 11-vjeçare.
Gjatë gjithë udhëtimit, Li ishte në gjendje të financonte udhëtimin e saj duke u punësuar aty për aty si pastruese e tualeteve apo si enëlarëse nëpër hotele.
Dy vjet më vonë, 59-vjeçarja e atëhershme qe gati të rivizitonte Azinë Juglindore, këtë herë e pajisur me një telefon inteligjent përplot me aplikacione përkthimi dhe hartash, një plan gjithëpërfshirës udhëtimi dhe dy shokë çiklistë të moshuar, që njohu në internet.
Dy shokët e saj të skuadrës ishin gati të dorëzoheshin dhe të ktheheshin në shtëpi pas rreth tre javësh, por këtë herë, Li zgjodhi të vazhdonte aventurën e saj e vetme, duke udhëtuar ngadalë me biçikletë nëpër Vietnam, Kamboxhia, Tajlandë dhe Birmani.
Li dhe dy shokët e saj çiklistë janë pjesë e një grupi të “udhëtarëve të argjendtë” në Kinë, ku popullsia po plaket me një ritëm alarmues. Sipas Dai Bin, kreu i Akademisë së Turizmit të Kinës, i cili foli për të përditshmen shtetërore “People’s Daily” në fillim të këtij muaji, shumë të moshuar kinezë po zgjedhin udhëtimet jashtë vendit në ditët e sotme, duke vizituar destinacione të ndryshme ose duke kombinuar udhëtimin me qëndrimin jashtë vendit.
Li kaloi rreth 70 ditë në të katër vendet, dhe u kthye në shtëpi me mijëra foto dhe besim për të udhëtuar edhe më larg.
Në vitin 2019, Li ishte gati për një sfidë tjetër. Atë pranverë, ajo u nis me biçikletë nëpër gjashtë vende evropiane. Gjatë 66 ditëve, ajo takoi një alpinist në Kroaci, bisedoi me banakierët përmes aplikacionit “Google Translate” në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kaloi kohë me gjyshet franceze.
Në nëntor, ajo shkoi në Australi.

Në atë kohë, Australia po përballej me zjarret më të rënda që vendi kishte parë në dekada. Gjatë rrugës ajo shihte shpesh pyje dhe kangur të djegur.
Teksa udhëtonte përgjatë autostradës së Paqësorit, një rrugë e qetë bregdetare, ajo vuri re tymin që dilte nga një park aty pranë dhe thotë se lajmëroi policinë lokale, duke parandaluar një zjarr serioz që mund të përfshinte atë zonë.
“Isha shumë krenare për veten time”, tha Li për CNN-in. “Ndihesha sikur kisha bërë diçka për Australinë”.
Li shkoi në Zelandën e Re dhe më pas u kthye në shtëpi në mars të vitit 2020, në kohën kur pandemia e koronavirusit po merrte dhenë. Në atë moment, Li e kuptoi se ajo kishte ndaluar së përdoruri ilaçet kundër depresionit.
Li beson se aventurat e saj e shëruan nga depresioni. Megjithatë, jo të gjithë janë dakord që udhëtimi zëvendëson mjekimin. Doktori Zhang Lixia, nga një spital psikiatrik në qytetin e lindjes së Li, thotë se është thelbësore t’i ndiqni këshillat e mjekëve.

“Shpërndaje mirësinë”
Megjithatë, udhëtimet e Li-së kishin sfidat e tyre. Në Australi, ajo humbi çantën e shpinës ku mbante të gjitha pajisjet e saj për çiklizëm dhe furnizimet dhe iu desh të fillonte nga e para. Derisa po kalonte kufirin në Bosnje dhe Hercegovinë, ajo mendoi se dy roje të armatosura kufitare po e përshëndesnin me dorë, por ata në fakt po i bënin thirrje që të ndalej për një kontroll.
Por Li thotë se ka pasur më shumë përvoja pozitive sesa negative.
Në një ditë përvëluese në Australi, një çift ndaloi për t’i ofruar asaj një shishe të madhe me ujë të ftohtë, një hamburger dhe disa shegë. Në një natë tjetër të zymtë, pikërisht kur Li ishte gati të ngrinte tendën e saj në një park, një çift, të dy çiklistë të zjarrtë që kishin vizituar Kinën, e ftuan gruan e moshuar që të qëndronte në shtëpinë e tyre.
“Sa herë që e shoh atë foto, qaj”, tha Li, e cila u dhuron byzylykë kinezë të gjithë atyre që e ndihmojnë gjatë udhëtimeve, në shenjë mirënjohjeje.
Kanë kaluar disa vjet që kur udhëtimi i Li u ndërpre papritur nga pandemia Covid-19. Tani, gjyshja po “kryen detyrat e shtëpisë”, për një udhëtim të planifikuar nga Kazakistani në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Qëllimi im është që të vizitoj të paktën 100 vende”, tha ajo për CNN-in. “Udhëtimi është si droga. Pasi ta shijoni, thjesht nuk mund të ndaleni”.