Trumpi ka sinjalizuar se mund të përdorë paraqitjet në gjykatë për ta portretizuar veten si viktimë të sistemit të politizuar të drejtësisë, ani pse nuk ka asnjë provë se presidenti Joe Biden ka pasur ndikim në rast
Donald Trumpi është kthyer në gjykatën federale të Washingtonit të martën, kur avokatët e tij argumentuan para gjykatësve të apelit se ai është imun nga ndjekja penale në lidhje me akuzat se tentoi të zhbënte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
“Për të autorizuar ndjekjen e presidentit për veprime zyrtare do të hapte kutinë e Pandorës nga e cila ky shtet kurrë nuk do të këndellej”, ka thënë D. John Sauer, avokat i Trumpit, duke vlerësuar se presidentët do të mund të ndiqeshin penalisht nëse do t’i jepnin Kongresit informacione të rrejshme për të hyrë në luftë ose nëse do të autorizonin sulmet me dronë ndaj shtetasve amerikanë që jetojnë në shtetet e tjera.
Gjykatësit kanë pyetur avokatët e Trumpit nëse gjykata ka juridiksionin për të dëgjuar apelin. Sauer ka thënë se imuniteti presidencial është gjë që duhet të rishikohet para gjykimit dhe ka thënë se prokurori i posaçëm Jack Smith nuk e ka sfiduar juridiksionin e gjykatës.
Rezultati i argumenteve mbart pasoja të mëdha si për çështjen penale kundër Trumpit, ashtu edhe për çështjen e paprovuar ligjërisht nëse një ish-president mund të ndiqet penalisht për veprimet në Shtëpinë e Bardhë. Ky rast ka mundësi të krijojë terrenin për apelime të tjera para Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila muajin e kaluar refuzoi një kërkesë, por mund të përfshihet më vonë.
Vendimi i shpejtë është vendimtar për prokurorin e posaçëm Smith dhe ekipin e tij, të cilët duan që rasti – tani në apel – të dalë para gjykatës para zgjedhjeve të muajit nëntor. Mirëpo avokatët, përveç kërkesës që rasti të rrëzohet, po shpresojnë që të përfitojnë nga procesi i apelit që mund të vonohet deri pas 4 marsit, përfshirë edhe mundësinë që gjykimi të nisë pas zgjedhjeve presidenciale.
Trumpi, kandidati kryesor i republikanëve për zgjedhjet presidenciale, ka marrë pjesë në argumentet e prezantuara të martën, ani pse nuk ka pasur kërkesë zyrtare që të pandehurit të paraqiten personalisht për procedura të tilla. Kjo ishte paraqitja e tij e parë në gjykatën e Washingtonit, një nga katër qytetet në të cilat ai përballet me ndjekje penale dhe gjykime të mundshme.
Trumpi ka sinjalizuar se mund të përdorë paraqitjet në gjykatë për ta portretizuar veten si viktimë të sistemit të politizuar të drejtësisë. Ani pse nuk ka asnjë provë se presidenti Joe Biden ka pasur ndikim në rast, argumenti i Trumpit mund të ndikojë te votuesit republikanë të Iowas teksa po përgatiten për procesin e nominimit presidencial.
Ish-presidentët amerikanë gëzojnë imunitet nga paditë për vendimet që kanë marrë si pjesë e angazhimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo për shkak se asnjë president para Trumpit nuk ishte akuzuar, gjykatat kurrë më parë nuk kanë adresuar nëse mbrojtja zgjerohet ndaj ndjekjes penale.
Avokatët e Trumpit kanë insistuar se kanë imunitet edhe ndaj ndjekjes penale, duke argumentuar se gjykatat nuk kanë autoritet për të kundërshtuar veprimet dhe vendimet zyrtare të presidentit.