Një gjykatës federal ka vendosur të martën se shpërbërja e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shumë gjasë përbën shkelje kushtetuese dhe ka bllokuar Departamentin e Efikasitetit Qeveritar të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk që të bëjë shkurtime të tjera në agjenci, transmeton agjencia AP.
Gjykatësi i Qarkut të Marylandit, Theodore Chuang e ka urdhëruar administratën e Trumpit që ta rikthejë qasjen e të gjithë punëtorëve të USAID-it nëpër emaila dhe kompjuterë, përfshirë atyre të cilët janë vendosur në largim administrativ.
Padia e veçoi Muskun si të pandehur të mbuluar nga urdhri paraprak, duke argumentuar se ai po ushtronte pushtet që Kushtetuta e rezervon vetëm për ata që fitojnë zgjedhjet ose konfirmohen nga Senati.
Urdhri vjen në kuadër të një padie të ngritur nga avokatët e punonjësve dhe kontraktuesve të USAID-it.
Chuang ka thënë që provat sugjerojnë se Musku ka marrë vendime për të mbyllur selinë e USAID-it dhe faqen e internetit, pavarësisht pretendimeve të administratës se ai ishte thjesht këshilltar i presidentit Donald Trump. Qëndrimet publike të Muskut dhe postimet e tij në rrjetet sociale dëshmojnë se ai ka “kontroll të plotë mbi Departamentin e Efikasitetit Qeveritar”, ka konkluduar gjykatësi federal.
Presidenti Donald Trump më 20 janar pati lëshuar një urdhër ekzekutiv për ngrirje të ndihmës së huaj dhe një rishikim të dhjetëra miliarda dollarëve të ndihmës së SHBA-së që jep jashtë vendit. Trump ka thënë se pjesa më e madhe e ndihmës së huaj ishte e kotë.
Përveç shkurtimeve në staf, rreth 5,200 nga 6,200 programet e USAID-it janë eliminuar.