Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), Karim Khan ka bërë të ditur se ka kërkuar një urdhër arresti për udhëheqësin ushtarak të Birmanisë, Min Aung Hlaing për krime kundër njerëzimit të kryera kundër myslimanëve Rohingya.
Khan ka thënë se kishte arsye të bazuar për të besuar se Min Aung Hlaing mbante përgjegjësi penale për persekutimin dhe dëbimin e Rohingyas në Bangladeshin fqinj, raporton BBC.
Qindra mijëra Rohingya u larguan nga Birmania në vitin 2017 për t'i shpëtuar një fushate të asaj që OKB-ja e ka përshkruar si gjenocid të nisur nga ushtria birmaneze.
Por qeveria e Birmanisë e ka mohuar këtë, duke thënë se po kryente vetëm një fushatë kundër militantëve Rohingya.
Sulmet ndaj Rohingya-ve filluan në vitin 2017, pasi militantët Rohingya nisën sulme vdekjeprurëse në më shumë se 30 poste policie në Birmani.
Ata thanë se trupat iu përgjigjën kësaj duke djegur fshatrat e tyre dhe duke sulmuar dhe vrarë civilët.
Të paktën 6,700 Rohingya, përfshirë të paktën 730 fëmijë nën moshën pesë vjeç, u vranë në muajin pas shpërthimit të dhunës, sipas organizatës bamirëse mjekësore Médecins Sans Frontières.